Kosova

100 tonë ndihma nga Oda Ekonomike e Kosovës

Mes ndihmave ishte edhe një kuzhinë e lëvizshme dhe 100 vullnetarë me kapacitet për 10 mijë racione ushqimi të ngrohtë në ditë, për 7 ditët e ardhshme

Është bërë e ditur se 4 maune, 4 kamionë dhe 3 autobusë mbërritën në Shqipëri të shoqëruara nga Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i datës 26 nëntor.

Meqenëse ndihmat që u siguruan nga subjektet private që bëjnë pjesë në Odën Ekonomike të Kosovës përbëhen nga 100 tonë ushqime gjysmë të gatshme, produkte higjienike, veshmbathje dhe batanije.

Mes ndihmave të siguruara nga Oda Ekonomike e Kosovës ishte edhe një kuzhinë e lëvizshme dhe 100 vullnetarë me kapacitet për 10 mijë racione ushqimi të ngrohtë në ditë, për 7 ditët e ardhshme. Kjo ndihmë u bë e mundshme edhe falë bashkëpunimit me Bashkimin e Dhomave të Tregëtisë të Shqipërisë dhe kërkesës për mbështetje, që kryetarja Ines Muçostepa u bëri për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve nga tërmeti.

Ndihmat e ardhura nga Kosova u dorëzuan në magazinat e Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura dhe u pritën nga zv. ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi dhe zv. ministrja e Finances dhe Ekonomisë, Belinda Ikonomi, përcjell albinfo.ch.