Lajme

100 fluturime në Britani anulohen për shkak të erërave të forta

Aeroporti “Heathrow”, qendra më e madhe e fluturimeve në Londër, ka konfirmuar se rreth 100 fluturime janë anuluar sot – për shkak të erërave të forta deri në 120 kilometra në orë – të parashikuara në pjesën më të madhe të Britanisë së Madhe.

Vendimi vjen pasi Zyra Meteorologjike tha se paralajmërimet për erën, të cilat hynë në fuqi dje në orën 7 të mëngjesit, pritet të qëndrojnë në fuqi deri në orën 21:00 të ditës së sotme.

Paralajmërimet përfshijnë Skocinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut – ndërsa në Angli paralajmërimet mbulojnë verilindjen, veriperëndimin, jugperëndimin dhe West Midlands, si dhe Yorkshire, Derbyshire dhe Hampshire.

“Për shkak të erërave të forta dhe kufizimeve të hapësirës ajrore, një numër i vogël fluturimesh janë anuluar sot. Kjo do të sigurojë që shumica dërrmuese e pasagjerëve të udhëtojnë ende siç është planifikuar”, tha një zëdhënës i “Heathrow”.

Meteorologu Dan Stroud tha sot se mund të kishte erëra deri në 121 kilometra në orë.