Kuriozitete

10 vende historike, në të cilat nuk duhet të bëni selfie

Gjatë udhëtimeve, mbase është e pashmangshme shkrepja e fotografive. Duket joshëse të shkrepësh një fotografi në një vend historik, mbase për të dëshmuar se ishit aty. Megjithatë, janë disa vende në të cilat nuk duhet të shkrepni një fotografi “të bukur”.

Në disa vende mund të konsiderohet mungesë respekti dhe e papërshtatshme të shkrepni selfie, e në disa të tjera është e ndaluar.

“The Travel” ka përpiluar një listë prej dhjetë vendesh, në të cilat iu këshillon që të mos shkrepni selfie, përcjell në shqip albinfo.ch.

Varrezat Kombëtare të Arlingtonit – Në këtë vend gjenden rreth 400 mijë varre që datojnë që nga lufta civile, dhe shkrepja e një fotografie të vetes do të cilësohej mosrespekt.

Çernobil – Vizitat në Çernobill janë të diskutueshme, për shkak të sigurisë. Megjithatë, ka ende udhëtarë që e vizitojnë “qytetin fantazmë”. Ani pse nuk ka ndonjë rregull zyrtar që e ndalon selfie-n, nuk preferohet një gjë e tillë.

Kisha e Sistinës – Kjo kishë, e cila përmban në tavanin e saj një nga veprat më ikonike të artit, të punuar nga Mikelanxhelo, po ashtu nuk është vendi i duhur për të shkrepur fotografi. Ky rregull ka qenë i tillë për dekada me radhë, për shkak se supozohet ta soditni në heshtje.

Qarku i kuq (The Red Light District) – Në këtë vend në Amsterdam, po ashtu është e ndaluar të shkrepni fotografi. Madje, disa turistë janë larguar nga zona kur e kanë thyer këtë rregull.

Memorialet e gjenocidit në Ruandë – Memorialet në Ruandë janë dëshmi e mijëra të vdekurve. Në disa prej tyre shihen edhe skeletet e viktimave, e në të tjerë ka njolla gjaku. Andaj, shkrepja e një selfie do të konsiderohej mungesë respekti.

Memoriali i Paqes në Hiroshima – Hiroshima është qyteti i parë në botë që vuajti pasojat e bombës atomike në vitin 1945. Mijëra njerëz humbën jetën, dhe tashmë është një park që nderon ata. Madje ndodhet edhe statuja e një fëmije, që simbolizon fëmijët që humbën jetën. Është e diskutueshme se a duhet të shkrepen fotografi selfie, por një gjë e tillë nuk këshillohet.

Xhamia e madhe Sheikh Zayed – Nëpër vende të ndryshme fetare ka rregulla të ndryshme për vizita. Dhe nëpër xhami, është mirë të hulumtoni se si duhet të silleni në rast vizite. Nëse do të doni të shkrepni fotografi në këtë xhami, do të ‘ballafaqoheni’ me rojën, sepse konsiderohet e papërshtatshme.

Memoriali i Vietnamit – Më shumë se 58 mijë persona humbën jetën gjatë luftës në Vietnam. Memoriali është i mbushur me emrat e atyre që sakrifikuan jetën. Dhe nëse do të donit të fotografoheshit para tyre, mund të konsiderohet mungesë respekti edhe për ata që janë në zi.

Memoriali 9/11 – Memoriali i 9 shtatorit në Nju Jork, mbase mund të duket i ‘mrekullueshëm’, por në vete përmban kujtime trishtuese. Aty gjenden edhe emrat e personave që humbën jetën, andaj nuk do të dukej e hijshme t’i shkrepni foto vetes.

Aushvic – Gjithçka që lidhet me Holokaustin, është çështje e ndjeshme. Andaj, edhe shkrepja e një selfie në vendin ku vdiqën miliona njerëz, nuk do të ishte e preferueshme. Disa njerëz që e kanë bërë këtë, më pas kanë marrë reagime jo të mira në rrjetet sociale.

Përktheu me shkurtime: Albinfo.ch