Lajme

1.5 milion udhëtarë shfrytëzuan Aeroportin në Prishtinë

Më shumë se 1.5 milion pasagjerë e shfrytëzuan Aeroportin "Adem Jashari" në Prishtinë gjatë vitit të kaluar. Numri i udhëtarëve është 10 për qind më shumë se vitin 2014

Gjatë vitit të kaluar, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, e kanë shfrytëzuar gjithsej 1,549,198 pasagjerë. Këto të dhëna i ka publikuar Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, sipas të cilëve, në vitin 2015 kishte një rritje prej 10 për qind të pasagjerëve krahasuar me vitin 2014.

“Rritje trafiku prej më shumë se 10 për qind në ANP “Adem Jashari” në vitin 2015 krahasuar me 2014. Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shërbyer gjithsej 1,549,198 udhëtarë në vitin 2015, sipas statistikave që ka mbledhur operatori”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, raporton ekonomia-ks.

Ndryshe, kosovarët janë gati të vetmit në rajon që e shfrytëzojnë dukshëm me shumë aeroplanin për mjet udhëtimi se sa trenin. Madje sipas të dhënave që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës, numri i pasagjerëve që shfrytëzojnë aeroplanin është tetë fish më i madh se ata që shfrytëzojnë trenin, transmeton albinfo.ch.