Shqipëria

​’Plisat’ ndihmojnë të prekurit nga tërmeti në Shqipëri

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë sot ka filluar aksioni humanitar i organizuar nga “Plisat”, për t’i ndihmuar banorët e Shqipërisë që janë prekur nga tërmet.

Me këtë rast qytetarët e Kosovës në shenjë solidarizimi ndihmuan me veshmbathje, ushqim dhe të holla.

Autobusi i parë nga kompania transportuese “Dita”, me shumë vullnetarë, janë nisur për t’i dërguar ndihmat në Shqipëri.

Përfaqësuesi i Plisave, njëherësh organizatori i aksionit humanitar, Kushtrim Ramadani, tha se aksioni humanitar do të vazhdojë nesër në orët e para të mëngjesit.

Qytetari nga Prishtina, Afrim Kqiku, mirëpret aksionin për mbledhjen e ndihmave për vëllezërit tanë në Shqipëri.

Nga kompania transportuese e autobusëve “Dita”, Hajdar Dili, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkëngjiten këtij aksioni për të ndihmuar personat e prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Ndryshe, të paktën 18 persona kanë humbur jetën dhe mbi 600 të tjerë janë plagosur, si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi sot në mëngjes Shqipërinë. Presidenti Hashim Thaçi të mërkurën e ka shpallur ditë zie në Kosovë, ndërsa Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro ndihma për Shqipërinë, shkruan KP, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë drejt Shqipërisë janë dërguar për ndihmë edhe Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Tërmeti i sotëm në Shqipëri prej 6.3 ballë të Rihterit është më i fuqishmi në 30 vjetët e fundit.