Zhvillim

Termocentrali  “Kosova e re”, fillon më 2016

Ky termocentral, që do të ndërtohet nga kompania amerikane “Contour Global” do të ketë kapacitetin 500 megavat energji dhe do të punësohet 500 punëtorë të rregullt

Një nga projektet më të përfolura në dhjetëvjetëshin e fundit, Termocentrali “Kosova e re” do nisë të ndërtohet në fund të vitit 2016 dhe të përfundojë pas gjashtë viteve në vitin 2022. kështu ka deklaruar ministrit i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci. Ky termocentral do ta ketë kapacitetin 500 megavat.

Ministri Stavileci ka treguar se komitetit drejtues i termocentralit është dakorduar që kompanisë “Contour Global”, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i jepet statusi i ofertuesit të preferuar.

“Prej sot e tutje ne punojmë 4 deri në 6 muaj për të pasur përmbylljen komerciale, pastaj dalim te pakoja tenderuese për ndërtim edhe aty shkojnë disa muaj, dhe ne presim që orientimisht nga fundi i vitit 2016 fillimi i vitit 2017 të fillohet me ndërtimin. Nga momenti që niset për ndërtim e deri në futjen në funksion do të jetë në mes viteve 2021 dhe 2022. Pra, kjo është shtrirja kohore e realizimit të projektit”, ka bërë të ditur Stavileci.

Vendimi për ndërtimin e këtij projekti ishte marrë qysh në vitin 2006, menjëherë pas formimit të Ministrisë së atëhershme të Energjisë dhe Minierave. Si projekt është zvarritur nga viti në vit, dhe si i tillë kishte pësuar shumë ndryshime, raporton REL.

Fillimisht termocentrali ishte projektuar me 2100 megavat. Pastaj, projekti u riemërua nga Termocentrali “Kosova C” në “Kosova e re”, dhe u ul kapaciteti prodhues në 1,000 megavat. Ndërsa, ndryshimi i tretë bëhet kur shpallet tenderi për ndërtimin e termocentralit me 600 megavat, dhe nga pakoja tenderuese hiqet ndërtimi i termocentralit “Kosova B”.

“Pra, ne kemi një kapacitet prej 500 megavatësh, me një efiqencë 40 për qind, me një kosto investive 1 miliard euro”, ka thënë Stavileci, sipas të cilit, ky projekt do të sjellë gjenerim të madh të punësimit.

Ai ka thënë se mbi 10 mijë persona do të mund të punësohen gjatë ndërtimit të termocentralit, derisa 500 persona do të jenë të punësuar të përhershëm. Ndryshe, Termocentrali “Kosova e re” llogaritet të jetë një ndër projektet më të mëdha në Kosovë.