Tematike

Studim kompleks për mësimin plotësues në gjuhët e të huajve

Ky studim është i pari i këtij lloji në Zvicër në të cilin janë anketuar vetë mësuesit e mësimit plotësues, në gjashtë kantone të ndryshme

Një studim i realizuar në gjashtë kantone (Bernë, Gjenevë, Jura, Lucern, Solothurn dhe Vaud) ofron bazat njohëse për zhvillimin e ofertave të trajnimit të mësimdhënësve të kurseve për gjuhën dhe kulturën e prejardhjes (mësimi plotësues në gjuhët përkatëse) dhe për përmirësimin e kushteve bazë të mësimit plotësues.

Ky studim është i pari i këtij lloji në Zvicër në të cilin janë anketuar vetë aktorët kryesorë, gjegjësisht mësuesit e mësimit plotësues, thuhet në një komunikatë të institucioneve bartëse të këtij studimi .

Ftesës për tu anketuar i janë përgjigjur një numër i madh ndërsa 231 mësues kanë marrë pjesë. Nga studimi, sipas autoreve, kanë dalë disa gjetje me rëndësi:

Në Zvicër dhe në veçanti në gjashtë kantonet e trajtuara është konstatuar një larushi sa iu përket ofertave të mësimit plotësues. Janë në ndryshim e sipër format e organizimit të bartësve të mësimit plotësues. Aktualisht, mbizotërojnë ofertat që mbështeten nga ambasadat dhe konsullatat e vendeve përkatëse. Ato kujdesen për numrin më të madh të nxënësve të përfshirë në mësimin plotësues në këto kantone. Bartësit privatë si shoqatat dhe fondacionet janë 1.5 herë më të shumtë në numër se sa bartësit e arsimit nga vendet e prejardhjes.

Pasi që këto shtete, për shkaqe financiare po i shlyejnë nga linjat e buxhetit shkollat me mësim plotësues, duhet të priten ndryshime në ofertën dhe në kushtet e punës të personelit arsimor të financuar deri tash prej tyre, ka konstatuar studimi.  Ndryshimet në këtë drejtim konsistojnë në kalimin në modele të financimit privat.

Studimi ka konstatuar po ashtu se personeli mësimor ka lidhje të dobëta me strukturat e shkollës së Zvicrës dhe me kolegët zviceranë. Ata kanë po ashtu qasje të pakët në infrastrukturën e shkollave (hapësira dhe materiali shkollor). Në këtë drejtim janë të nevojshme përmirësime, nëse shkollat me mësim plotësues dhe mësuesit e tyre duan të lirohen nga statusi i tyre si mysafirë në shkollat e këtushme. Një status i tillë është në kundërshtim të theksuar me strategjinë arsimore politike të promovimit të shumëgjuhësisë, thuhet më tutje në studim.  

Bazuar në të gjeturat e këtij studimi, mësuesit e mësimit plotësues në gjuhët e vendeve të prejardhjes kanë interes të theksuar për kualifikim të mëtejmë. Afërsisht dy të tretat e tyre gjatë tri viteve të fundit kanë bërë trajnime profesionale. Ato janë ofruar në rreth 50 për qind të rasteve nga bartësit e tyre (shoqatat ambasadat) dhe 50 për qind nga institucionet zvicerane.

Tema e trajnimit profesional e preferuar nga shumica ka qenë “Bashkëpunimi i shkollave me mësim plotësues me shkollën e Zvicrës”. Kjo temë përfshin projekte konkrete për promovimin e shumëgjuhësisë  në bashkëveprim me personelin mësimor të shkollave vendore etj.

Preferencë tjetër e tyre ka qenë tema “Mësimi në klasat heterogjene”, për faktin se nxënësit në mësimin plotësues kanë dallime të mëdha në shkallën e njohjes së gjuhës dhe në moshën e tyre, thuhet veç tjerash në njoftimin lidhur me studimin “Gjendja dhe nevojat për trajnimin e mësuesve të mësimit të gjuhës dhe kulturës së vendlindjes)” me autoret: Ruth Calderón, Rosita Fibbi dhe Jasmine Truong.

Studimi është financuar nga  Zyra Federale për Migracion dhe kantonet në të cilat është zhvilluar studimi.