Kinema

Sot shfaqet në Cyrih filmi “The Land within”, i regjisorit Fisnik Maxville

Filmi shfaqet në kuadrin e festivalit të filmit "Kino Kosova" që po mbahet në kinemanë RiffRaff të Cyrihut

Filmi “The Land within”, i regjisorit të ri shqiptaro-zviceran Fisnik Maxville (Maxhuni), pas një rruge të suksesshme festivalesh ka filluar edhe shfaqjen në kinematë zvicerane.

Nga 1 maji ka filluar shfaqja e këtij filmi që në fokus ka pasojat e luftës së Kosovës, filloi në qytetin Pully, të Kantonit Vaud, në kinemanë “CityClub”. Më tej, “The Land Within” mund të shihet në kinema të ndryshme të qyteteve, kryesisht të Zvicrës frankofone, si Gjenevë, Aigle, Friburg etj. Sot, më 4 maj, ky film do të shfaqet edhe në Cyrih, në kuadrin e festivalit të filmit “Kino Kosova”.

Ky film që flet për pasojat nga lufta në Kosovë, ka fituar çmimin kryesor në festivalin e filmit në Talin (Estoni), i cili i takon kategorisë së parë të festivaleve botërore të filmit. Së fundi,  filmi ishte nominuar për çmimin e filmit më të mirë të Zvicrës, në festivalin kryesor të filmit në vend, në Solothurn.

Fisnik Maxville (Maxhuni) ka marrë çmimin “Personalitet i Vitit” për Kulturë/Film nga platforma mediale albinfo.ch për vitin 2023.

I lindur në vitin 1989 në Kosovë, Fisnik Maxville kishte statusin e refugjatit në Zvicër deri në vitin 2005. Ai ka studiuar për Film në ECAL / HEAD, duke përfunduar studimet me diplomë Master. Filmi i tij i parë Lost Exile (2016) u shfaq premierë në Locarno dhe fitoi një çmim të jurisë.

Ai ka bërë skenarin dhe regjinë e filmit “The Valley of Happiness” (2017), Zvicra (2018) dhe “Endgame” (2020). The Land Within është filmi i tij debutues si film artistik me metrazh të gjatë. Ai aktualisht është duke punuar në disa filma artistikë, mes tyre “Cotton Hands” dhe “Anima”.

Në vazhdim, shfaqjet e filmit “The Land Within”

04.05.2024, nga ora 18:40, në kinemanë RiffRaff, Cyrih

05.05.2024, nga ora 18:00, në kinemanë, Royal, Ste-Croix

06.05.2024, nga 20 :30, në kinemanë Astor, Vevey

07.05.2024, në kinemanë Rex, në Fribourg

08.05.202, nga ora 18:00, në kinemanë Cinepel, Neuchâtel

13 mai 2024, në kinemanë, La Grange, në Delémont

16 mai 2024, në kinemanë Cinéma d’Oron, në Oron.

Subjekti i filmit, në pak rreshta:

Në vitin 2008 Remo u kthye në vendin e tij në Kosovë pas vitesh mërgimi. Ai ka për detyrë të ndihmojë kushërirën e tij, Una, të zhvarrosë një varr masiv, ku shumica e anëtarëve të familjes së saj u varrosën gjatë luftës. Por trupat zbulojnë sekretet e familjes që detyrojnë Remon dhe Unën të vënë në dyshim të ardhmen e tyre. Një film për të vërtetat e mundshme në një vend që njeh vetëm mbijetesë.