Kosova

Sot është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, sot, më 3 maj 2024, do të shënojë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, përcjell albinfo.ch.

Me fillim nga ora 11:00, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, bashkë me Këshillin e Medieve të Shkruara të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur për Medie do të mbajnë një diskutim për sfidat e ruajtjes së standardeve profesionale dhe kodit të etikës gjatë raportimit. Diskutimi do të mbahet në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar, ku aktualisht është edhe e hapur ekspozita e karikaturave për Lirinë e Medias – të Ambasadës Holandeze në Kosovë.

Ndryshe në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, bazuar edhe në nenin 19 të “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” mbi lirinë e shprehjes, shpalli 3 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet çdo vit në mbarë botën.

3 Maji, sipas Kombeve të Bashkuara, shërben për të nënvizuar parimet themelore të lirisë së shtypit si dhe për të vlerësuar këtë liri në mbarë botën. Gjithashtu në këtë ditë theksohet rëndësia e mbrojtjes së mediave nga sulmet ndaj lirisë së tyre dhe nderohen gazetarët.