Kosova

Shqipëri: 1.7 milionë vizitorë, gjysma nga Kosova

Për tre muajt e parë të këtij viti, Shqipërinë e kanë vizituar 1.7 milionë të huaj. Sipas këtyre të dhënave, vizitat janë rritur me 60 për qind.

“Kryesisht janë turistë për herë të parë, por ka edhe nga ata që vijojnë të jenë kurioz e të vizitojnë pjesë të tjera të vendit. Shifrat ndihen edhe te ne. Mund të them se viti ka nisur mjaft mbarë”, shprehet Jetmira Hoxha, operatore turistike.

Gjysma e vizitorëve janë nga Kosova, sipas të dhënave të INSTAT, të publikuara nga “A2CNN”.

Ngjashëm me vitin e shkuar, lista pasohet nga italianët e malazezët. Peshë të konsiderueshme në totalin e turistëve që kanë vizituar vendin në tre muajt e parë të vitit zënë edhe pushuesit nga Maqedonia e Veriut, Greqia, Anglia, Turqia, Serbia e Polonia.

“Të paktën deri më tani pushuesit nga Kosova nuk mungojnë. Mund të them si në vitet e mëhershme, pavarësisht liberalizimit të vizave. Pjesa tjetër vijon siç ka qenë thuajse”, ka shtuar Hoxha.

Në një kohë që numri rritet dhe gjeografia e turistëve zgjerohet, bashkë me to po shtohen edhe ankesat.

“Një pjesë të vjetra e të tjera të krijuara rishtazi ka ankesa. Ankohen kryesisht për abuzimet me çmimet këtë vit dhe shërbimin. Është ‘Thembra e Akilit’ për ne”, ka thënë operatorja turistike.

Marsi rezulton si muaji më i mbarë deri më tani në drejtim të turizmit për Shqipërinë. Vendin rezulton ta kenë vizituar gati 735 mijë të huaj. Në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, shifra gati është dyfishuar./Koha.net