Kosova

Osmani thotë se Policia vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara

Në 25-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës u vlerësua lart puna dhe përkushtimi i pjesëtarëve të këtij institucioni në mbrojtjen dhe sigurinë e vendit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Policia e Kosovës gjatë këtij çerekshekulli vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara dhe të respektuara, duke qenë në krye në ndërtimin e një shoqërie, ku mbizotëron rendi dhe ligji.

Osmani potencoi se kontributi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është kyç për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë.

Derisa vlerësoi lart sakrificën e pjesëtarëve të rënë në krye të detyrës, e para e vendit theksoi se PK-ja duhet të vazhdojë të zhvillojë kapacitetet dhe aftësitë saj në hapa të sigurt, në mënyrë që të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur kërcënimeve të reja.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Policia e Kosovës u bë prej institucioneve të para që me fisnikëri dhe besueshmëri u shërbeu qytetarëve të vendit, derisa synim e kishin rimëkëmbjen.

Kurti potencoi se duke reflektuar mbi betimin e dhënë, policët e Kosovës kanë dëshmuar se nuk kursejnë as jetën e tyre për mbrojtjen e shtetit të tyre.

Ai u shpreh krenar dhe mirënjohës me arritjen e Policisë së Kosovës përgjatë këtyre viteve, derisa shtoi se shërbimi me integritet dhe profesionalizëm janë drejtimet me të cilat duhet të fuqizohet edhe më tej ky institucion.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vlerësoi lart angazhimin dhe punën e Policisë së Kosovës përgjatë këtyre 25 vjetëve.

Njëjtë sikur edhe krerët e lartë shtetërorë, edhe ministri Sveçla theksoi sakrificën e policëve të rënë në detyrë, që nga Razim Rexhepi e deri te heroi i fundit, Afrim Bunjaku.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, u shpreh se përgjatë këtyre 25 vjetëve është dëshmuar se ky institucion është ndërtuar mbi themele të forta për të mbrojtur shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj.

Ai tha se Policia e Kosovës vazhdon të jetë gardian në sundimin e ligjit dhe mbajtjen e stabilitetit në vendin tonë.

Hoxha potencoi se PK-ja ka arritur një nivel të lartë të profesionalizmit dhe bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Në ceremoninë qendrore u prezentua për herë të parë himni i Policisë së Kosovës.

Më 6 shtator të vitit 1999, misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, hapi Shkollën e policisë dhe filloi trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.