E-Diaspora

Në mungesë faktesh, 4 shqiptarët lirohen nga akuza për zjarrvënie me qëllim përfitimi

Kjo për faktin se akuza ndaj tyre ka qenë e mbështetur mbi dëshminë e një dëshmitari anonim dhe, në një rast të tillë nuk mund të ngrihet një akuzë

Tre shqiptarë me nënshtetësi zvicerane dhe një shtetase kosovare janë gjykuar për zjarrvënie në banesën e kosovares, me qëllim përfitimi nga sigurimi. Prokuroria kërkonte 25 vjet dhe 6 muaj burg për të katër të akuzuarit, shkruan aargauerzeitung.ch.

Por, katër personat kanë pasur fat dhe i kanë shpëtuar dënimit në fjalë. Kjo për faktin se akuza ndaj tyre ka qenë e mbështetur mbi dëshminë e një dëshmitari anonim dhe, në një rast të tillë nuk mund të ngrihet një akuzë. Për më tepër edhe arrestimi i të përmendurve mbi këtë bazë është i kundërligjshëm. Kështu, gjyqtari ka vepruar sipas parimit “in dubio pro res” (në rast dyshimi, në favor të të akuzuarit), dhe të akuzuarit janë shpallur të lirë në pikën kryesore të akuzës, transmeton albinfo.ch. Për më tepër, ata do të marrin dëmshpërblim prej 40 mijë frangash për qëndrimin në paraburgim.

Vetëm kosovarja me emrin e koduar Rilinda O., është dënuar për tentim të mashtrimit të sigurimit me gjobë me kusht prej 192 njësish ditore nga 10 franga si dhe një vërejtje.

Dënime kanë marrë edhe të akuzuarit tjerë por, për vepra penale që nuk kanë të bëjnë me zjarrvënien.

Në procesin që ka përfunduar dje, synohej të zbulohej se kush ka qenë porositësi i zjarrvënies dhe kush e ka vënë zjarrin. Të katër të përmendurit akuzoheshinn për të dyja, transmeton albinfo.ch. Veç kësaj dy nga burrat dhe gruaja dyshoheshin edhe për vepra të tjera si mashtrim, tentim mashtrimi, shkelje të rregullave në komunikacion dhe shkelje të ligjit mbi të huajt.

Rrjedha e ngjarjes sipas prokurorisë është dukur kështu: Rilinda banonte në banesën të cilës “duhej” t`i vihej zjarri. Partneri i saj i atëhershëm, Indrit G.* bashkë me të njohurin tjetër Murat A.* po kërkonin dikë që do të ishte i gatshëm të ndizte banesën e gruas. Ata së bashku e kanë pyetur Besim H.* nëse ai njihte dikë që mund ta bënte këtë veprim. Pastaj Indriti ia jep Besimit një çelës të banesës, me të cilin Besimi hyn më 4 mars në banesë dhe i vë zjarrin asaj. Për këtë “punë” ai do të ketë marrë 6000 franga nga Indriti.

Rilinda pastaj i ka deklaruar sigurimit se në banesën e djegur ka pasur stoli ari që vlenin 11 mijë franga bashkë me 6000 franga në bankënota, përcjell albinfo.ch. Por ndërkohë ishte konstatuar se kjo nuk qëndronte kështu që sigurimi nuk ka paguar asgjë.

Ajo që ka bërë përshtypje gjatë gjykimit është se 3 nga 4 të akuzuarit përveç që nuk kanë pranuar veprën, nuk kanë pranuar të përgjigjen për asgjë që janë pyetur. Vetëm Besim H. është treguar më i vullnetshëm për të folur, por edhe ai e ka hedhur poshtë akuzën. Sipas tij, ai, propozimin e Indritit dhe Muratit për zjarrvënie e kishte refuzuar.

Prokurori kishte kërkuar për Indritin 7, për Muratin 4.5, për Rilindën, 6 dhe për Besimin, 8 vjet heqje lirie, gjithsej 25 bjet e 6 muaj. Nga ana tjetër, mbrojtësit e tyre kanë kërkuar lirim si të pafajshëm, për mungesë provash, transmeton albinfo.ch.