Zhvillim

Lumenjtë e Kosovës, më të ndoturit në rajon

 

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Për vite me radhë, automekaniku A.G nga rajoni i Fushë-Kosovës vajrat e makinave i kishte hedhur në lumin Sitnica, pa qenë në “dijeni” për dëmet që u shkaktojnë faunës në lum. Ndërsa viteve të fundit, ai thotë se i ka ndërtuar një ngrohëse me vaj dhe të gjithë vajrat e harxhuara ekonomikisht, i akumulon dhe i djeg gjatë dimrit.

“Sasia e vajit të akumuluar ishte shumë e madhe, prandaj nuk kisha idenë ka të bëja me të. Isha i detyruar ta hedhja në lum”, thotë ai për albinfo.ch, duke treguar se këtë e bënte kryesisht pas orës së mesnatës.

A.G nuk është i vetmi që ka ndotur “pa vetëdije” lumin Sitnica.

Ky lum dhe disa të tjerë në Kosovë janë shndërruar në lumenj që bartin mbeturinat, ujërat fekale dhe acidet e kimikalat e fabrikave të ndryshme.

Disa ditë më parë në lumin Morava ndodhë një ngordhje masive e peshqve. Këtë e kishte vërejtur fillimisht Rexhep.Q i cili kishte dalë për peshkim në afërsi të qytetës së Vitisë.

Kur kishte parë mijëra peshq të ngordhur kishte lajmëruar autoritetet komunale, të cilat menjëherë kanë hapur hetim, ndaj fabrikës për përpunimin e metaleve “Vinex”, e cila mundet të ketë hedhur acide në lum.

 

Ujërat e zeza, rrezikojnë faunën nëpër lumenj

Lidhur me këtë rast, Fadil Maxhuni është shef i Zyrës për Komunikim Publik në Ministrinë e Mjedisit tha për albinfo.ch se janë bërë analizat dhe ka dalë se nuk ka pasur ndotje kimike, por vetëm ngritje e sasisë së ujërave të zeza.

“Inspektorati i MMPH, bashkë me Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), kanë dalë në terren për të konstatuar gjendjen, dhe IHMK ka bërë analizën e cilësisë së ujit të lumit. Analizat laboratorike kanë treguar se nuk ka vlera të ngritura të ndotjes. Megjithatë, sipas gjykimeve të ekspertëve, për shkak të rënies së sasisë se ujit, është ngritur përqendrimi i ndotësve, kryesisht të ujërave të zeza të shkarkuara qoftë nga amvisëritë qoftë nga industritë”, deklaroi ai.

Albinfo.Ch ka intervistuar kryetarin e Federatës se Peshkatarëve Sportiv dhe Rekreativ të Kosovës, Arianit Sllamniku.

Ai thotë se ujërat në Kosovë fatkeqësisht nuk e gëzojnë fatin të thirret ujëra të pastër pasi që duke u nisur nga kanalizimet apo ujërat fekale e deri tek degradimi përmes nxjerrjes së inerteve të rërës, e bëjnë që lumenjtë të njihen si ujërat më të ndotur në regjion.

 

Degradimi i lumenjve, rrezikon gjitha llojet e peshqve   

Sllamniku thotë se në bazë të analizave toksikologjike, bërë nga ekspertët vendorë e ndërkombëtarë, del se të gjitha llojet e peshqve në Kosovë janë të rrezikuar nga degradimi i lumenjve.

“Të gjithë llojet e peshqve janë të rrezikuar, por edhe të kontaminuar në vendin tonë si pasojë e ndotjeve të pakontrolluara që po bëhen nga amvisëritë por edhe nga industritë në vendin tonë”, deklaroi Sllaminiku, sipas të cilit, të gjithë lumenjtë kosovar janë të shndërruar në rrjet të kanalizimeve për amvisnit dhe industritë.

Ndër lumenjtë më të ndotur, sipas tij, janë Sitnica Llapi, Morava nga pjesa e Vitisë e deri në fshatin Miresh të komunës së Gjilanit, Ereniku, Drini etj.

Kryetari i Federatës së Peshkatarëve thotë se është momenti i fundit kur institucionet e Kosovës të veprojnë për mbrojtjen e ujërave, ndryshe do të jetë votë.

“Si peshkatar ambientalist, por edhe si prind, iu bëjë apel institucioneve të vendit që nëse nuk marrin hapa në një kohë të shkurtër, gjendja e ujërave në vendin tonë jo që nuk do të ketë gjallesa, por do të shndërrohet në një vendburim të sëmundjeve dhe epidemive të pashërueshme për të gjithë banorët e vendit tonë”, thotë Sllamniku.

 

Në vitin 2013 u miratua ligji për ujërat

Ndryshe, Kosova në vitin 2013 ka miratuar Ligjin për Ujërat, e cila parashikon edhe dënime të larta për ata që ndotin qëllimshëm lumenjtë. Me këtë ligj, jo vetëm që ndalohet hedhja e masave të lëngëta e të ngurta industriale, por ndalohet dhe larja e veturave në afërsi të lumenjve dhe spërkatja e pemëve dhe perimeve.

“Ndalohet hedhja e substancave dhe mbeturinave të ngurta, të lëngëta dhe të gazta të cilat për shkak të vetive fizike, kimike dhe biologjike, rrezikojnë shëndetin e njerëzve, cilësinë e ujërave sipërfaqësorë dhe nëntokësorë, florën dhe faunën ujore, vështirësojnë rrjedhjen e ujërave, rrezikojnë objektet dhe pajisjet ujore”, thuhet në nënën 61 dhe 62 të ligjit.

Fadil Maxhuni shef i Zyrës për Komunikim Publik në MMPH, tha se sa i përket ligjeve, Kosova ka kompletuar legjislacionin për ujërat, ndërsa janë në proces të finalizimit të gjashtë udhëzimeve administrative që rregullojnë fusha të caktuara.

Edhe Maxhuni pranon se shkaku kryesor i ndotjes së lumenjve në Kosovë është shkarkimi i ujërave të zeza pa trajtim paraprak.

“Trajtimi i ujërave të zeza është një proces i kushtueshëm, dhe që kërkon studime dhe investime të mëdha. Megjithatë, MMPH, në bashkëpunim me sektorë te tjerë qeveritar, tani ka bërë hapa konkret. Janë bërë hapa konkret në ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Prizren dhe Gjakovë”, deklaroi ai.

 

Kërkohet donatorë për ndërtimin e impianteve

Ministra e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, sipas tij, ka përgatitur projekt propozime dhe ka dorëzuar te donatoret për ndërtimin e impianteve në qendrat tjera, dhe ka tregues pozitiv në këtë drejtim.

“Ndotës tjerë të lumenjve janë edhe hedhja e mbeturinave në vende të caktuara pranë lumenjve. Kjo është kryesisht për shkak se kompanitë për mbledhjen e mbeturinave nuk kanë kapacitetet për mbulimin e gjithë banoreve me këtë shërbim. Natyrisht, kjo është edhe çështje e vetëdijesimit”, deklaroi Maxhini.

Ndryshe, mbrojtja e ambientit përfshirë edhe lumenjtë e liqet, janë ndër kushtet themelore të Bashkimi Evropian, për shtetet integruese dhe aspiruese. BE ka miratuar dhe aplikuar një numër të madh të ligjeve që mbrojnë jetën e qytetarëve dhe mjedisin ku ata jetojnë.

Në Kosovë burojnë, apo rrjedhin disa lumenj: Drini i Bardhë, Ereniku, Ibri, Drenica, lumi  Llap, Lepenci, Nerodimja, Morava e Binçës dhe Sitnica. Pjesa më e madhe e këtyre ujërave derdhen në detin e Zi (50,7 për qind), pjesa tjetër (43,5 për qind) në detin Adriatik dhe pjesa e vogël prej 5,8 për qind në Egje.