Kosova

Kuvendi s’i merr parasysh rekomandimet e BE-së, e miraton Projektligjin për KPM-në

Me 59 votë për, dy abstenime e asnjë kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), përcjell albinfo.ch.

Dy nga deputetët e pozitës, Dimal Basha dhe Eman Rrahmani, ishin ata që abstenuan gjatë votimit.

Ky projektligj është kundërshtuar nga shumica e organizatave ndërkombëtare që merren me lirinë e medias.

Po ashtu, Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhjen për mosinkorporimin rekomandimet në tre projektligje vendimtare, atë për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Zyra e BE-së në Kosovë, në një komunikatë për media më 26.06.2024 i ka bërë thirrje Kuvendit që të rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që këto projektligje të përmbushin standardet perëndimore.

Për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, BE-ja thotë se versioni aktual nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Europës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i KPM-së, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve.