Kosova

Kurti takon nënkryetaret e komunave të veriut, flasin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar të mërkurën nënkryetaret serbe të komunave në veri, Katarina Agjançiq e Mitrovicës së Veriut, Natasha Tomaniqin e Zveçanit dhe Marina Bogojeviqin e Leposaviqit.

Kurti tha se nënkryetaret e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre.

“Pas takimeve në Berlin, konsiderova që një hap i duhur është të diskutoj me përfaqësues serb të komunave veriore. I konsultova mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave. Të gjitha ato më thanë që e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre. Dhe, më premtuan që kur do të takojnë përfaqësuesit diplomatikë të QUINT-in do t’ua shprehin këto kërkesa gjithashtu”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Në takim morën pjesë edhe ministrat Nenad Rashiq e Elbert Krasniqi.

Kurti ka thënë se komunikimi i shpeshtë dhe i rregullt “është interesim, kujdes dhe vullnet i dyanshëm për të diskutuar e planifikuar projekte, dhe për adresuar sfida e vështirësi”.