Kosova

Krasniqi: Në veri nuk ka më institucione paralele

Institucionet paralele serbe janë mbyllur nga Policia e Kosovës, pas kërkesës së ministrisë që ai drejton, ka thënë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, duke komentuar mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës.

Ai ka theksuar se objektet e liruara do të shfrytëzohen për kërkesat e qytetarëve atje, e po ashtu për nevojat që ata do t‘i kenë.

“Tashmë janë mbyllur këto 5 institucione ilegale në veri dhe u bashkohen edhe shtatë të tjerave, të cilat janë mbyllur më herët me një veprim të përbashkët të institucioneve të Kosovës”, tha Krasniqi, për RTK, përcjell Albinfo.ch.

Tutje, ministri Krasniqi ka thënë ai se tashmë ato institucione ilegale nuk funksionojnë në Kosovë, sepse kanë vepruar jashtë kornizës ligjore dhe kushtetuese të Kosovës dhe nuk kanë më hapësirë të veprojnë në Kosovë.

Krasniqi tha se objektet e liruara janë kryesisht në pronësi të komunave të Kosovës dhe tashmë kanë institucionin që do të veprojë në objektin e liruar dhe aty do të veprojë Qendra Rajonale e trajnimeve për patentë shoferë.

“Tashmë jemi duke punuar në nivel lokal dhe qendror që kërkesave të qytetarëve t’u jemi sa më afër edhe me objekte të liruara, në mënyrë që t’u përgjigjemi sa më mirë qytetarëve atje”, tha Krasniqi./Albinfo.ch