Gruaja

Gruaja shqiptare “bën” të dhunohet, e ajo zvicerane, jo!

Gjatë marrjes në pyetje ai kishte thënë: “Çfarë do të thotë kjo? Unë e kam rrahur vetëm një grua shqiptare dhe jo një zvicerane”. Gjykata e Qarkut e Cyrihut e dënon 63 vjeçarin me 7 vjet e gjysmë burg  

Një shqiptar 63 vjeçar është dënuar nga Gjykata e Qarkut në Cyrih me 7 vjet e gjysmë burg për përdhunim të shumëfishtë dhe dhunë seksuale të ushtruar ndaj bashkëshortes së tij.

Ajo që është e veçantë në këtë proces gjyqësor, përveç peshës së dënimit, ësjhtë shpërfaqja gjatë procesit gjyqësor, e mentalitetit të shqiptarit të dënuar, që gazeta “NZZ” e vë në pah në raportimin e saj.

“Xhelozia është pjesë e mentalitetit të shqiptarit dhe është diçka fare normale”, i thotë 63 vjeçari gjyqtarit, transmeton albinfo.ch. Ndërkohë që ajo që ky pensionist invalidor i ka bërë nga xhelozia gruas së tij 11 vjet më të re, në periudhën 2014-2016, mund të jetë gjithçka tjetër, vetëm se jo normale.

Që nga momenti kur ai e ka parë gruan e vet ulur në një bankë me një burrë tjetër shqiptar afër vendit të saj të punës, ai ka jetuar në gjendje lajthitjeje me mendimin se gruaja e tij po e tradhtonte me bashkatdhetarin në fjalë. Ai pastaj e ka sharë gruan duke e quajtur lavire, e ka torturuar, kafshuar dhe në fund edhe e ka përdhunuar nën kërcënimet më të rënda, në dysheme, në kuzhinë.

Nga janari i vitit 2016 pensionisti e ka përgjuar atë çdo ditë te kiosku ku ajo punonte. E akuzonte se mbante marrëdhënie seksuale me burra të tjerë dhe e kërcënonte vazhdimisht me vdekje. Disa herë radhaz e ka përdhunuar dhe sulmuar seksualisht. Ai kishte ngritur në shtëpi një klimë të frikës së vazhdueshme, në të cilën jetonte jo vetëm gruaja por edhe djali i përbashkët, i lindur në vitin 2006.

I akuzuari, i cili e flet dobët gjemrmanishten, sipas ekspertizës psikiatrike vuan nga një çrregullim i pashërueshëm i personalitetit, me tipare narcisoide dhe impulsive, transmeton albinfo.ch. Kjo, sipas ekspertizës dëshmohet edhe me atë se ai një herë u ishte drejtuar gruas dhe djalit me fjalët: “Unë jam zoti për ju”.

Ndërsa në gusht të vitit 2016, sjellja e tij dominuese “prej burri” arriti aq larg, sa që djali e bindi të ëmën që ta paraqiste në polici. Prej atëherë, burri është në burg, ndërsa gruaja e traumatizuar rëndë ndodhet në trajtim psikiatrik dhe është penduar për denoncimin e bërë në polici.

Burri, i cili thotë se në Kosovë ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, ka ardhur në Zvicër para 25 viteve si punëtor në ndërtimtari. Pas një kohe të shkurtë ai qe martuar me një zvicerane, 14 vjet më të vjetër se vet. Pas 5 vitesh janë shkurorëzuar. Pak më vonë familja e tij i kishte aranzhuar martesën në Kosovë me gruan e tij të sotme. Ai nuk ka dhënë përgjigje të saktë për pyetjen se sa kohë ka që është martuar dhe as për moshën e të birit. “Nuk i kam punët mirë me numrat”, është arsyetuar ekonomisti i diplomuar, transmeton albinfo.ch. Po ashtu vuan nga kundërindikacionet e shumë medikamenteve që është i detyruar t`i marrë çdo ditë.

Medikamentet i “fajëson” ai edhe për sjelljen e tij të dhunshme ndaj gruas dhe të birit. Fillimisht i kundërshton të gjitha pastaj i pranon ato. Por deri në fund nuk pranon të ketë bërë përdhunim seksual të gruas. Ata kanë pasur një jetë krejtesisht normale seksuale, ka theksuar ai. “Ajo nuk ka thënë asnjëherë se nuk do”, ka qenë përgjigja ndaj pyetjes së gjyqtarit rreth praktikave më të forta seksuale të herëpashershme, që ai ka pranuar t`i ketë bërë.

Gjatë kësaj kohe, gruaja e traumatizuar, që qëndron ulur pak metra më tutje, kur përmendet “marrëdhënia seksuale me pajtim të dyanshëm”, vetëm tund kokën. Por, përkundër të gjithave, ajo shpreson që burri i saj të shpallet i lirë! E dëmtuara ka shtyrë avokaten e vet që të angazhohet për një masë terapeutike (ndaj burrit) në mënyrë që ai pastaj të kthehet sërish në familje. Po këtë gjë e kërkon edhe i akuzuari.

Mirëpo trupi gjykues nuk ka mirëkuptim për këtë dëshirë të palëve në konflikt. Përkundrazi, ai e ka dënuar burrin me 7 vjet e gjysmë heqje lirie. Trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut të Cyrihut ka kosntatuar se deklarimet e gruas kanë qenë tejet bindëse dhe të përforcuara edhe nga fotografitë dhe nga dëshmitë e shefes së saj të punës, pëercjell albinfo.ch. Nga ana tjetër, i akuzuari nuk ka treguar asnjëherë pendim. Për më tepër, gjatë një marrjeje në pyetje ai kishte thënë: “Çfarë do të thotë kjo? Unë e kam rrahur vetëm një grua shqiptare dhe jo një zvicerane”.