Kosova

Është varrosur në vendlindjen e tij Dr. med. Sami Dalipi

Është varrosur dje, në vendlindjen e tij, në Dobrosin të Bujanocit, mjeku i njohur, psikiatri dhe psikoterapeuti Sami Dalipi, i cili kishte ndërruar jetë pak ditë më parë në Zvicër.

Për t`i dhënë lamtumirën e fundit dr. Samiut kishin ardhur në Dobrosin familjarë, miq dhe kolegë të shumtë.

Përmes pikëllimit që kishte kapluar pjesëmarrësit, në ceremoninë e varrimit janë thënë fjalët më të mira për mjekun e shquar dhe humanistin që ka lënë një trashëgimi prej njeriu fisnik e atdhetar.

Në emër të Bashkësisë Lokale të Dobrosinit ka folur Reshat Salihu, kryetar, i cili ka lexuar një biografi të të ndjerit dhe ka kujtuar veprën e tij për të cilën ndihen krenarë bashkëfshatarët e tij e më gjerë.

Nga i ndjeri, me një fjalë të përshkuar me emocione është ndarë edhe miku i tij i vjetër, gazetari dhe veprimtari, Xhevdet Kallaba. Ai, përveç vlerësimit që i ka bërë dr. Dalipit në emrin e tij, ka përcjellë edhe fjalët dhe telegramet e ngushëllimit nga miqtë, institucionet dhe subjektet shqiptare në Zvicër, përfshirë këtu Konsullatën e Republikës së Kosovë në Cyrih dhe Lidhjen e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës.

Dr. med. Sami Dalipi është ndarë nga jeta të hënën, më 16 qershor, në Langenthal të Zvicrës. Pas vetes ka lënë gruan, dy djem, një vajzë, pesë motra, nipa e mbesa, në Zvicër dhe në Kosovë.