Kosova

Diplomon gjenerata e 60-të e Policisë së Kosovës

Kosova bëhet më e sigurt, i shtohen 448 policë të rinj

448 policë të rinj kanë diplomuar të premten në Prishtinë. Në sallën “1 Tetori” është mbajtur ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se policia po shton dhe po forcon radhët e saj, duke qenë në nivelin më të lartë të detyrës për sundimin e ligjit dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit të vendit.

Kurti potencoi se Policia e Kosovës këtë vit shënon 25-vjetorin e themelimit të saj, duke promovuar vlerat më të mira të shoqërisë tonë. Ai tha që përkushtimi dhe shërbimi me nder le të jenë virtytet që i karakterizojnë gjatë ushtrimit të profesionit.

“Të dashur kadetë, nga sot ju jeni vlerë e shtuar e policisë tonë, por edhe garancë për qytetarët e Republikës së Kosovës. Përkushtimi dhe shërbimi me nder le të jenë virtyte që ju karakterizojnë gjatë ushtrimit të profesionit”, tha Kurti, raporton ekonomiaonline.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se policia e vendit tonë me profesionalizm ka arritur ta ngrejë këtë institucion si më të besueshmin për qytetarët e Kosovës.

Ai theksoi se shërbimi ndaj vendit nuk është asnjëherë i mjaftueshëm kur kujtojmë sakrificën e vazhdueshme të popullit tonë për liri.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se diplomimi i kësaj gjenerate tregon përkushtimin e tyre për të tejkaluar të gjitha sfidat për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

Ai potencoi se prioritet për Policinë e Kosovës është përmbushja e standardeve, përfaqësimi i të gjitha komuniteteve, diversitetit etnik dhe atij gjinor.

Zëdhënësi i gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës, Florian Shala, u shpreh se ky moment i diplomimit është dëshmi e përkushtimit dhe përgjegjësive për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat që i presin.

Ai u zotua se do të punojnë me përkushtim për të ruajtur besimi që e kanë qytetarët në Policinë e Kosovës.

Policia e Kosovës që nga themelimi është institucioni më i rëndësishëm shtetëror që kujdeset për mbrojtjen dhe sigurinë e rendit në vend. PK ka filluar punën më 6 shtator të vitit 1999, ndërsa sivjet do të shënojë 25-vjetorin e themelimit të saj.