Lajme

Zvicra rrit pensionet për t`i barazuar ato me shtrenjtimet

Krahas rritjes së pensioneve prej 2.5 për qind të bërë tashmë në janar, atyre do tu shtohen edhe 0.3 pikë përqindjeje. Shtrenjtimet kanë qenë në masën 2.8%

Me autorizim të Parlamentit, Këshilli Federal ka ndryshuar ligjin për rritjen e pensioneve AHV (të moshës dhe trashëgimisë) dhe IV (të invaliditetit) me qëllim përshtatjen e tyre me inflacionin, gjegjësisht shtrenjtimin dhe ka miratuar njoftimin përkatës, transmeton albinfo.ch.

Krahas rritjes së pensioneve prej 2.5 për qind të bërë tashmë në janar, atyre do tu shtohen edhe 0.3 pikë përqindjeje.

Kjo korrespondon me një rritje prej pesë frangash në muaj për pensionin minimal dhe 12 franga për pensionin maksimal, ka bërë të ditur Këshilli Federal të mërkurën, shkruan sda.ch.

Llogaritjet e bazuara në këtë parim rezultojnë në një rritje të pensionit minimal mujor prej 5 CHF. Në rast se ndryshimi hyn në fuqi më 1 korrik 2023, rregullimi i inflacionit do të përfshijë një rritje shtesë prej 2 frangash për të marrë parasysh edhe muajt janar-qershor 2023.

Në përgjithësi, pensioni minimal me atë rast do të rritet për 7 franga, duke kaluar nga 1225 në 1232 franga dhe pensioni maksimal me 14 franga nga 2450 në 2464 franga.

Rritja bazohet në inflacionin prej 2.8 për qind në vitin 2022. Duke vepruar kështu, Këshilli Federal po përmbush vullnetin e Parlamentit për të forcuar fuqinë blerëse të pensionistëve, thuhet më tutje në njoftimin nga qeveria.

Sot, gjatë përcaktimit të pensioneve AHV, qeveria federale përdor si udhëzues të ashtuquajturin indeks të përzier, përcjell albinfo.ch. Gjysma e kësaj bazohet në inflacion dhe gjysma në zhvillimet e pagave.

Ky do të ishte një rregullim i jashtëzakonshëm pensioni. Zakonisht pensionet përshtaten çdo dy vjet.