Futboll

Zvicra përforcon kreun e tabelës, nuk ka të ndalur

Përballje e dominuar totalisht nga "helvetët"

Pasi fituan sfidën e parë ndaj Bjellorusisë me rezultatin 0 me 5, Zvicra e Granit Xhakes nuk është ndalur as mbrëmë, teksa ka arritur të sigurojnë një fitore të pastër 3 me 0, ndaj Izraelit, në një përballje të dominuar totalisht nga “helvetët”, përcjell albinfo.ch.

Fillimisht Ruben Vargas në minutën e 39-të e më pas Zeki Amdouni e Silvan Widmer, në minutat 48 e 52 mjaftuan për t’u siguruar zviceranëve edhe 3 pikë të tjera në rrugën drejt Euro 2024.

Ndërkaq, në Bukuresht, Rumani arriti një fitore me vlerë në grupin I, ku falë “magjisë” së Nicolae Satnciu në minutën e 17-të dhe golit të Andrei Burca në minutën e 19-të nxorën komplet “të pavlefshëm” golin e Vladislav Morozov, në minutën e 86-të, duke arritur kështu një fitore me rezultatin e ngushtë 2 me 1, përballë bjellorusëve.

Kështu, Zvicra ndodhet në vendin e parë në grupin 1, me 6 pikë dhe një golavarazh perfekt me 8 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar, ndërsa në vendin e dytë renditet Rumania po me 6 pikë, por me golavarazhin 4- 1, duke mos mundur dot të rrëmbejë vendin e parë.