Shkurt.ch

Zvicra do të komandojë zonën e veriut të KFOR-it

Zvicra, nga 1 janari 2012 merr përsipër udhëheqjen e zonës së veriut, në KFOR, të cilën aktualisht e komandon Franca

Qeveria e Zvicrës ka autorizuar sot Departamentin e mbrojtjes që me rastin e marrjes nga SWISSCOY i Zvicrës të një funksioni komandues në kuadrin e KFOR-it më 1 janar 2012, të rrisë numrin e personelit për maksimalisht 15 persona.

Siç bëhet e ditur në një komunikatë të departamentit në fjalë, zviceranët do të marrin përsipër udhëheqjen e një njësie në kuadër të ndarjes së zonave ushtarake. Është fjala për zonën e veriut, të cilën aktualisht e komandon Franca, ku Zvicra pritet të ketë fjalën kryesore për 12 muaj nga 1 janari 2012.

Me këtë veprim Zvicra do të marrë më shumë përgjegjësi por edhe do të shtojë prestigjin në mesin e shteteve anëtare të KFOR-it.

Me një vendim të marrë më 8 qershor 2011, Qeveria Federale ka zgjatur për deri në fund të vitit 2014 afatin e qëndrimit të forcave zvicerane në Kosovë. Njëkohësisht qe vendosur që sipas kërkesave në terren, SWISSCOY mund të rritet për 80 trupa duke mbërritur nga 220 në 300 sish.