Kosova

Kosova dhe Zvicra, një “histori dashurie” me pak turbulenca

Zvicra ka njohur pavarësinë e Kosovës nga Serbia më 27 shkurt 2008 dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike dhe konsullore me Republikën e re të Kosovës

Zvicer Pixabay

Zvicra është me siguri shteti perëndimor me praninë proporcionalisht më të madhe kosovare dhe rrjedhimisht, me lidhjet më të forta me Kosovën. Është e vetëkuptueshme që kjo vjen në radhë të parë falë diasporës së madhe shqiptare-kosovare që jeton me dekada në këtë vend.

Nëse flasim për fillet e lidhjeve mes dy vendeve, ato datojnë nga viti 1960, kur Zvicra kishte rekrutuar punëtorë nga ish Krahina Autonome e Kosovës në Republikën Federative të Jugosllavisë. Gjatë kaosit të luftës që viteve `90, dhjetëra mijë refugjatë ndoqën këtë rrugë, duke u strehuar në Zvicër.

Që nga ajo kohë, Zvicra është angazhuar për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. Rrjedhimisht, Zvicra dhe Kosova mbajnë marrëdhënie të ngushta dhe të larmishme bilaterale. Zvicra është një nga vendet më të rëndësishme partnere dhe donatore të Kosovës.

Sa zviceranë jetojnë në Kosovë dhe anasjelltas

Zvicra ka njohur pavarësinë e Kosovës nga Serbia më 27 shkurt 2008 dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike dhe konsullore me Republikën e re të Kosovës. Që nga ajo kohë, Zvicra dhe Kosova kanë nënshkruar shumë marrëveshje bilaterale në fushat e bashkëpunimit teknik dhe financiar, aviacionit civil, trafikut të udhëtarëve dhe mallrave rrugor, tregtisë, mbrojtjes së investimeve dhe sigurimeve shoqërore.

Zvicra është e përfshirë, ndër të tjera, në fushat si promovimi i dialogut politik, integrimi i pakicave, pajtimi me të kaluarën, forcimi i institucioneve demokratike dhe çminimin humanitar.

Zvicra gjithashtu ofron ekspertë për misionet ndërkombëtare në Kosovë. Forcat e Armatosura Zvicerane përmes Swisscoy janë pjesë e misionit ndërkombëtar të paqes, KFOR, në kuadër të NATO-s, që nga viti 1999.

Sipas statistikave zvicerane, në fund të vitit 2019 në Kosovë jetonin 478 shtetas zviceranë. Ndërsa anasjelltas, në Zvicër jetojnë zyrtarisht rreth 114 mijë shtetas të Kosovës. Por kjo shifër përfshin vetëm ata persona që kanë pasaportën kosovare ndërsa ka shumë më tepër njerëz me prejardhje nga Kosova që kanë edhe nënshtetësi zvicerane. Këta të fundit, statistika zyrtare e Zvicrës nuk i llogarit më si kosovarë.

Micheline Calmy Rey dhe historia e saj me Kosovën

Calmy Rey Wil

Prania e madhe e kosovarëve në Zvicër ka krijuar lidhje të fuqishme mes dy vendeve. Kjo ka bërë që Zvicra të jetë ndër pak vendet që kanë lobuar për pavarësinë e Kosovës disa vite para se kjo pavarësi të bëhej realitet. Dhe, nëse procesi i pavarësisë së Kosovës ka ndonjë kryeprotagonist/e në Zvicër, ajo është Micheline Calmy Rey, ish ministre e jashtme dhe presidente e federatës së Zvicrës.

Zonja Calmy Rey dhe zyrtarët tjerë të lartë të ministrisë që drejtonte ajo, kanë promovuar vendosmërisht nevojën e pashtyshme të pavarësimit të Kosovës që në fillim të viteve 2000. Bëhet fjalë për një kohë kur pavarësia e vendit të porsadalë nga lufta ende përbënte blasfemi në qarqet diplomatike.

Kryediplomatja e atëhershme e Zvicrës i ka qëndruar konsistente mbështetjes së pavarësisë së Kosovës edhe kur më vonë, për shkak të problemeve të njohura të Kosovës në shtetndërtim, nga qarqe të ndryshme shteti i ri konsiderohej si shtet i dështuar.

“Micheline Calmy-Rey nga shumëkush konsiderohet si arkitekte e një shteti të pavarur të Kosovës. Ajo e mbron edhe sot luftën e saj për pavarësinë e Kosovës, të vitit 2008. Vetëm kështu, thotë ajo, është siguruar stabiliteti i Ballkanit, gjë kjo nga e cila ka përfituar edhe Zvicra”. Kështu shkruanin gazetat zvicerane në vitin 2018, kur shënohej dhjetëvjetori i Kosovës së pavarur.

Jo vetëm fushë me lule

Sigurisht, marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Kosovës nuk janë krejtësisht “fushë me lule”. Duke filluar nga vitet `90 të shekullit të kaluar, disa kosovarë, me ose pa të drejtë, herë pas here bëheshin objekt aferash dhe skandalesh me të cilat merrej opinioni publik i këtushëm.

Të kujtojmë me këtë rast vetëm afishet e publikuara në vitin 1997 nga një parti e këtushme  “KosovoAlbaner Nein”, që proklamonin kundërshtimin e një projekti për integrim të shqiptarëve në Kantonin e Cyrihut.

Ose afishet po kaq problematike “Kosovarët therrin zviceranin” etj. Por, këto dhe përjashtime të ngjashme, kanë marrë përgjigjen refuzuese të shumicës së popullit dhe spektrit politik të Zvicrës. E fundit madje ka pasur edhe pasoja juridike për autorët dhe inicuesit!.