Shkurt.ch

Zviceranët kanë të kursyera afër tre mijë miliardë franga!

Vetëm me rastin e ndërrimit të valutave, familjet zvicerane kanë humbur gjatë vitit të kaluar rreth 25 miliardë franga

Pasuritë e familjeve zvicerane gjatë vitit 2010 janë rritur për 3% krahasuar me vitin 2009. Ndërkaq në vitin 2009 ato qenë rritur për 6.5% në krahasim me vitin paraprak, bën të ditur Banka Nacionale e Zvicrës.

Llogaritur në shifra, pasuritë e amvisërive zvicerane janë për 74 miliardë franga më të mëdha se një vit më parë dhe arrijnë në 2.690 miliardë franga.

Arsyet e rritjes, sipas Bankës Nacionale janë se njerëzit po kursejnë më shumë dhe se janë ngritur çmimet e shtëpive dhe banesave.

Megjithatë, frangu i fortë e ka frenuar rritjen e pasurisë. Vetëm me rastin e ndërrimit të valutës, për shkak të uljes së vlerës së valutave të huaja kundrejt frangut, zviceranët kanë humbur gjatë vitit të kaluar rreth 25 miliardë franga.