Shkurt.ch

Zvicër: Viza C për refugjatët, pas 5 vitesh qëndrim

Me këtë është hedhur poshtë kërkesa që refugjatët e njohur të marrin vizën C vetëm pasi t`i mbushin 10 vjet në Zvicër

Refugjatët me status të pranuar edhe në të ardhmen do të munden të marrin lejen e përhershme të qëndrimit (Vizën C) sikurse deri më tash, pas pesë vitesh qëndrimi në Zvicër.

Duke votuar për këtë vendim, Dhoma e Kantoneve e Parlamentit të Zvicrës ka hedhur poshtë kërkesën e ardhur nga Dhoma Nacionale, sipas të cilës refugjatët e njohur do të merrnin vizën C vetëm pasi t`i kishin mbushur dhjetë vite qëndrimi në Zvicër.

Mbështetësit e kërkesës për zgjatje të afatit në dhjetë vjet, e argumentonin këtë me nevojën për të barazuar refugjatët e pranuar me të huajt tjerë, të cilët për vizën C duhet të presin dhjetë vjet.

Nga ana tjetër, fituesit në Dhomën e Kantoneve thonë se refugjatët duhet të orientohen sa më shpejtë për qëndrim të përhershëm në Zvicër, shkruan drs.ch.