Shkurt.ch

Zvicër: Priftëresha 66 vjeçare lind binjakë!

Priftëresha në pension (e kishës reformiste) është nëna që ka lindur fëmijë në moshën më të shtyrë. Ajo mban rekordin zviceran

Në lokalitetin Prättigau të kantonit Graubünden jeton gruaja që në moshën 66 vjeçare ka sjellë në jetë dy fëmijë. Për më tepër priftëresha në pension (e kishës reformiste) është nëna që ka lindur fëmijë në moshën më të shtyrë, mbase jo vetëm në Zvicër. Kjo mban rekordin zviceran.

Ndërsa dy vite më parë një grua 64 vjeçare pati lindur po kështu fëmijë dhe pati ngjallur kureshtje në opinion. Në botë, gruaja që ka lindur fëmijë edhe më e moçme se zvicerania është një 70 vjeçare nga India.

Lindja e binjakëve të priftëreshës 66 vjeçare është konfirmuar për gazetën sonntagsblick edhe nga spitali kantonal në Chur. “Në klinikën gjinekologjike, një grua 66 vjeçe ka lindur binjakë”, ka thënë zëdhënësi i spitalit. Po kështu edhe nga shërbimi civil është vërtetuar e njëjta gjë.

Binjakët janë lindur me prerje cezariane para dy javësh dhe duket se vazhdojnë të jenë në spital, ku vëzhgohet gjendja shëndetësore e tyre.

Gazeta më tutje thotë se pensionistja nuk ka mbetur shtatzënë në mënyrë të natyrshme. Ajo, dëshirën e paplotësuar deri atëherë për të pasur fëmijë e ka plotësuar në Ukrainë, ku lejohet dhurimi jo vetëm i spermës por edhe e vezoreve.

Priftëresha thuhet se jeton e tërhequr dhe nuk dëshiron publicitet, prandaj edhe nuk ka shënime dhe as fotografi të saj që do të publikoheshin.