Shkurt.ch

Zvicër: Një e treta e shërbimeve mjekësore, nga xhepi i pacientëve

Në Zvicër për shëndetësi gjatë vitit 2009 janë shpenzuar 61 miliardë franga. 19 miliardë, nga vetë të siguruarit

Përkundër faktit se paguajnë premi të larta mujore për arkat e shëndetësisë, zviceranët detyrohen që të paguajnë nga xhepi i tyre pothuajse një të tretën e shpenzimeve të përgjithshme për çështje shëndetësore.

Kjo pjesëmarrje, është dukshëm më e lartë po u krahasua me vende tjera në botë. Kështu, në Francë pjesëmarrja e pacientit në pagesën e shërbimeve mjekësore është 7% ndërsa në Holandë madje vetëm 6%. Në Gjermani, pacientët paguajnë nga xhepi i tyre 13% të shpenzimeve të shkaktuara.

Ndërkaq, më shumë se zviceranët, për shërbimet e tilla nga të gjitha vendet e OECD-së paguajnë vetëm meksikanët dhe koreanët e jugut, ka konstatuar një studim i Observatorit Zviceran të Shëndetësisë OBSAN, raporton “Neue Zürcher Zeitung”.

Gjithsej në Zvicër për shëndetësi gjatë vitit 2009 janë shpenzuar 61 miliardë franga. 19 miliardë prej tyre është dashur të paguhen nga vetë të siguruarit. Këto shpenzime kanë të bëjnë me pjesëmarrjen në pagesë, franshizat, sigurimet plotësuese por edhe me shërbimet e caktuara mjekësore që nuk i mbulon asnjë sigurim.

Më së shumti shpenzime kanë shkaktuar shërbimet e shtëpive të pleqve, 29% ndërsa për shërbimet e stomatologëve 19%. Këto shërbime, në vendet e OECD-së mbulohen në një vëllim të madh nga shërbimi bazë i sigurimit shëndetësor.