Lajme

Zvicër: Me 73.7% refuzohet nisma “Për liri dhe integritet fizik”

Iniciativa popullore “Për liri dhe integritet fizik” u refuzua të dielën me 73.7% të votave. E nisur nga kundërshtarët e masave anti-Covid, ajo donte të parandalonte çdo vaksinim të detyrueshëm teksa asnjë kanton nuk tha “po”.

Në Zvicrën frëngjisht-folëse, kantoni Vaud është kampion i refuzimit me 77%. Gjeneva vijon me 72.3% “jo”, Neuchâtel është me 70.3%. Refuzimi gjithashtu del në krye në Valais me 69.9% të votave dhe në Friburg me 70.4%, transmeton albinfo.ch. Në nivel kombëtar, pikët më të ulëta u regjistruan në Jura dhe Ticino, përkatësisht me 65,7% dhe 64,3%. Refuzimi më i qartë është në Basel-City, me 78.1%.

Kantoni më i populluar, Cyrihu, e hodhi poshtë nismën kundër vaksinave me 77.2%. Berna refuzoi me 74.4%. Lucerne, Solothurn, Basel-Country, Aargau, Zug dhe madje edhe Graubünden refuzojnë gjithashtu nismën rreth 75%, në mesataren kombëtare, shkruan RTS.

Në nivelin zviceran, vetëm disa komuna e kanë mbështetur nismën, veçanërisht La Côte-aux-Fées (NE), Soubey (JU), Corcelles (BE), Unteriberg (SZ) dhe Mergoscia në Ticino.

Në fund, 1.838.538 qytetarë thanë “jo” në kutinë e votimit dhe 654,997 votuan “po”

Nisma popullore “Për liri dhe integritet fizik” u lançua në kuadër të pandemisë Covid-19 nga Lëvizja Zvicerane për Lirinë, një grup qytetarësh kryesisht gjermanishtfolës. Ajo kërkoi që të gjithë të kenë lirinë për të përcaktuar se çfarë duhet të injektohet ose të implantohet në trupin e tyre.

Teksti nuk përmendte në mënyrë eksplicite vaksinimin kundër Covid-19, por iu referua të gjitha vaksinave, çipave dhe informacioneve të tjera digjitale që do të futeshin në trup.

Integriteti fizik, kërkesa kryesore e tekstit, tashmë është parashikuar në Kushtetutë si një e drejtë themelore. Askush nuk mund të vaksinohet pa pëlqimin e tyre në Zvicër, këmbëngulën kundërshtarët e tekstit.

Vetëm UDC e mbështeti nismën në nivel kombëtar, por partia konservatore nuk u angazhua masivisht në fushatë.