Tematike

Zvicër: Dështojnë të dy iniciativat, e djathta kthen rezultatin në favor të vet

Në secilin prej sondazheve kishte dalë se iniciativat do të fitonin por në fund, shoqatat e biznesit, shumica e partive të djathta dhe Këshilli Federal ishin në gjendje të bindnin njerëzit të votonin kundër

Si iniciativa e “Për kompanitë e përgjegjshme – për të mbrojtur njerëzit dhe mjedisin” ashtu dhe ajo “Për ndalimin e financimit të prodhuesve të materialeve të luftës”, kanë dështuar në kutitë e votimit.

Një ngushëllim mbetet: Tani hyn në fuqi kundër-propozimi indirekt i berë nga qeveria, shkruajnë mediat zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Në secilin prej sondazheve kishte dalë se iniciativat do të fitonin por në fund, shoqatat e biznesit, shumica e partive të djathta dhe Këshilli Federal ishin në gjendje të bindnin njerëzit të votonin kundër.

Iniciativa popullore “Për kompanitë e përgjegjshme – për të mbrojtur njerëzit dhe mjedisin” (iniciativa e përgjegjësisë së korporatave) kërkonte që kompanitë me qendër në Zvicër t’u nënshtroheshin rregullave të detyrueshme kur bëhet fjalë për pajtueshmërinë me të drejtat e njeriut dhe standardet e mbrojtjes së mjedisit në aktivitetet e tyre globale, përcjell albinfo.ch.

Nëse një kompani nuk do të kishte përmbushur detyrimin në fjalë ajo gjithashtu do të ishte përgjegjëse për çdo dëm të shkaktuar nga filialet dhe furnizuesit e kontrolluar jashtë vendit. Parlamenti duhet të ishte marrë me zbatimin konkret të nenit përkatës kushtetues.

Tani hyn në fuqi kundër-propozimi indirekt, të cilin e ka hartuar Ministrja e Drejtësisë Karin Keller-Sutter dhe të cilin Parlamenti e ka kaluar në verë. Ligji përfshin detyrimet e raportimit për kompani të caktuara. Kur bëhet fjalë për miniera konfliktuale dhe punë të fëmijëve, kompanitë duhet gjithashtu të përmbushin detyrimet e kujdesit të duhur. Shkeljet dënohen me gjobë.

Dështon edhe iniciativa për “bizneset e luftës”

“Iniciativa për ndalimin e financimit të prodhuesve të materialeve të luftës”, po ashtu  ka dështuar. Ajo ka humbur numrin e nevojshëm të kantoneve. 12 nga kantonet e numëruara tashmë është konfirmuar se e kanë hedhur poshtë kërkesën. Në të gjithë Zvicrën, gjasat janë që ajo ka humbur në shkallën prej 60 për qind.