Shkurt.ch

Zug-u kundër “zonave pa azilantë” të SVP-UDC-së

Mocioni, u hodh poshtë nga Parlamenti i qytetit të Zug-ut, me 29 vota kundër dhe gjithsej 7 pro.

Fraksioni i SVP-UDC-së në Parlamentin e qytetit të Zug-ut kishte kërkuar që një zonë në qytet të shpallet “zonë e lirë nga azilantët”. Ky mocion pastaj ka shkaktuar akuza dhe kundërakuza në parlamentin e qytetit. Kundër këtij mocioni dhe sidomos kundër “zhargonit nazist” që e përshkon atë kritika kanë drejtuar deputetë nga shumica e partive.

Me rastin e vënies në rend dite të mocionit, para ndërtesës së parlamentit të qytetit ishin grumbulluar rreth 30 persona, për të protestuar kundër kërkesave të SVP-së. Gjatë debatit, të gjitha grupet parlamentare, përveç atij të SVP-UDC-së kanë kritikuar “stilin e gjuhës” me të cilin është bërë mocioni. Sidoqoftë, mocioni, siç shkruan gazeta “Neu Luzerner Zeitung” u hodh poshtë me 29 vota kundër dhe gjithsej 7 pro.

Por, kryetari i grupit parlamentar të SVP-së, Manfred Pircher hedh me vendosmëri poshtë akuzat për racizëm. Ai madje shprehet krenar me atë që grupi i tij ka arritur “të vejë në lëvizje çështjen”.

Kundër shtëpive të azilit në “zonën më të mirë të banimit” shprehet edhe FDP-PLR, por, ajo nuk pajtohet me mënyrën e formulimit të mocionit. Kështu , kryetari i grupit të kësaj partie ka thënë se “mocioni është paushallizues, tendencioz, përplot paragjykime dhe përplot supozime si dhe me ton fyes”.