Shkurt.ch

Zbulohet roboti që ec vertikalisht

Si model për këtë zbulim ka shërbyer Rrëshqanori Gecko, i njohur për aftësinë e tij të ngjitjes në sipërfaqet të lëmuara vertikale

Rrëshqanori i tropeve, Gecko, i njohur për aftësinë e tij të ngjitjes në sipërfaqet të lëmuara vertikale, u ka shërbyer shkencëtarëve nga Kanadaja për të zhvilluar një robot me aftësi të ngjashme, shkruan revista shkencore britanike “Smart Materials and Structure”.

Roboti i vogël, që peshon gjithsej 240 gramë, për tu ngjitur mureve nuk ka nevojë as për materie ngjitëse dhe as për shtresën thithëse, çfarë e kanë geko-.t në shputat e tyre. Në vend të tyre, ai shfrytëzon një mekanizëm në formë të shinës, i cili, ngjashëm me shputat e rrëshqanorit të vogël, është i pajisur me qime të holla mikroskopike.

Gecko-t kanë në shputat e tyre qime ultra të holla, të cilat, falë ndërveprimit në mes të atomeve dhe molekulave, ia dalin të ngjiten në sipërfaqet vertikale të lëmuara.

Qimet në fjalë, kanë trashësinë prej vetëm 0.017 mm, ndërkohë që qimet e flokëve të njeriut janë 0.1 mm.

Roboti i ri do të gjejë zbatim në shumë fusha të aktiviteteve njerëzore, duke filluar nga pastrimi i dritareve, inspektimi i godinave ose zbulimi i njerëzve të mbuluar nga gërmadhat.