Lajme

Vota e diasporës, një hap i rëndësishëm për demokracinë shqiptare

Sa ndikon vota e diasporës në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri? Rreth kësaj flet drejtuesi i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e lirë”, Florian Haçkaj

Diaspora shqiptare përbën një përqindje të madhe të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në vendet e Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse jozyrtarisht e regjistruar në Shqipëri, sipas një raporti të Institutit të Statistikave të vitit 2020, numri i emigrantëve që jetojnë jashtë vendit pas viteve 1990-të ka arritur në rreth 1.68 milionë. Ndonëse vota e diasporës ka qenë një premtim elektoral i bërë prej tri dekadave nga i gjithë spektri politik shqiptar, qytetarët që jetojnë jashtë kufijve nuk kanë pasur mundësinë të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare apo lokale, duke u ndjerë të përjashtuar nga proceset vendimmarrëse të vendit të tyre.

Në vitin 2022 ishte Diaspora për Shqipërinë e lirë, një lëvizje dhe organizatë që mbledh shqiptarë nga 24 vende të botës me seli në Cyrih të Zvicrës, e cila e çoi përpara dhe e fitoi çështjen e votës së emigrantëve në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Vendimi i vitit 2022 i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë qartëson se diaspora ka të drejtën të votojë nga jashtë Shqipërisë dhe është detyrim i shtetit shqiptar të garantojë këtë të drejtë. Ky vendim është një akt historik për diasporën dhe për të drejtën kushtetuese të votës në Shqipëri, pasi ndodh për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar. Moszbatimi i këtij vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe mbajtja e zgjedhjeve e përgjithshme pa votën e diasporës në Shqipëri do të ishin antikushtetuese, dhe si rrjedhojë, pa ndonjë efekt juridik.

Florian Haçkaj

Sfidat teknike dhe rregullat e votimit të diasporës  

Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Shqipëri ka miratuar një rregullore për regjistrimin e votuesve të diasporës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë mundësinë të regjistrohen në një platformë elektronike, duke krijuar një llogari personale pa pagesë. Procesi i regjistrimit kërkon që zgjedhësit të ngarkojnë dokumente për të vërtetuar identitetin dhe vendqëndrimin e tyre jashtë Shqipërisë.

Pasi plotësojnë kërkesat, KQZ verifikon dhe miraton regjistrimin e tyre brenda pesë ditësh, dhe lista përfundimtare publikohet 63 ditë para zgjedhjeve. Platforma dhe procesi synojnë të sigurojnë transparencë, fshehtësi të votës dhe përfshirjen e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Që emigrantët të votojnë, do të duhet të ngarkojnë online në KQZ një dokument që të provojnë se banojnë aty ku ata kërkojnë t’ju shkojë zarfi me fletën e votimit. KQZ ka miratuar një listë me disa dokumente të cilët janë të pranueshëm, kryesisht pronësi banese, kontrata qiraje apo fatura shërbimesh. Kryeministri shqiptar Edi Rama, gjatë takimit të 3 nëntorit me shqiptarët e diasporës në Selanik, deklaroi se po diskutohet që qeveria shqiptare të mbështesë financiarisht dërgimin mbrapsht të fletave të votimit që mos të ketë kosto për votuesit e parë në historinë shqiptare nga jashtë vendit.

Pak kohë në dispozicion, a ka rrezik të dështojë vota e diasporës?

Komisioni qendror zgjedhor (KQZ) zhvilloi një takim me të gjithë operatorët e shërbimit postar ndërkufitar, ku është konkluduar se afatet zgjedhore të tanishme mund të pamundësojnë votimin e diasporës. Kreu i KQZ-së, Ilirian Celibashi informoi partitë shqiptare se kompanitë e shërbimit postar kërkojnë 30 deri në 45 ditë për dërgimin dhe mbërritjen e fletës së votimit, ndërkohë që KQZ ka afat vetëm 10 deri në 12 ditë. Sipas tij, duke iu referuar përvojës në vende të tjera të Evropës që aplikojnë votën e diasporës, afatet ende lënë vend për dyshime nëse procesi mund të realizohet ose të dështojë.

Përmes një letre zyrtare, lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë i ka rikujtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se kanë mbetur vetëm pak ditë për të përfunduar procesin e miratimit të akteve nënligjore të nevojshme për mundësimin e votës së shqiptarëve jashtë vendit.

Në letrën e tyre, theksohet se ky afat është jashtëzakonisht i shkurtër, duke marrë parasysh kompleksitetin e procesit. Diaspora bën thirrje për veprim urgjent, dhe se çdo vonesë e mëtejshme do te rrezikojë seriozisht të drejtën kushtetuese të votës për qytetarët shqiptare që jetojnë jashtë vendit dhe do të minojë përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet e ardhshme.

Florian Haçkaj, drejtues dhe themelues i shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” deklaron se votimi me postë nga ana e emigrantëve shqiptarë, është një shpenzim që duhet të mbulohet nga shteti shqiptar, ndërsa zbulon për albinfo.ch se po punohet së bashku me Gjykatën e Lartë dhe misionin e OSBE për të integruar edhe ankimimin online.

Aktet nënligjore nuk janë plotësuar ende nga Komisioni rregullator i KQZ-së, çfarë ndodh nëse kalohen afatet? A rrezikon vota e diasporës të dështojë në 2025-n?  

E vërtetë që afatet janë në limite. Duke njohur situatën aktuale politike në Shqipëri ku edhe vetë ligji për votën e diasporës kaloi 180 ditë me vonesë në parlament, pas urdhrit  të dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë presim që këtë javë të kalojë akti i tretë nënligjor që ka të bëjë me mënyrën e votimit nga jashtë, pra sa fletë do të jenë, posta që do përdoret etj, kurse akti i 4-t nën-ligjor ka të bëjë me mënyrën e numërimit të votave, pra si do të vijë posta, ku dhe si do të ruhen votat, me monitorim 24 orë, me vëzhgues nga të gjitha subjektet partiake dhe përfaqësues të organizatave civile. Ne do të jemi atje si vëzhgues dhe garantues të sigurisë së votës së emigrantëve.

Si do të sigurohet një votim i drejtë dhe i sigurt? Ju si DPSHL, a i druheni faktit që vota e emigranteve mund të manipulohet?

Sigurisht që i druhemi manipulimeve, por nuk mendojmë si shumë të tjerë që shohin frikë tek ky fakt dhe nuk bëjnë asgjë, pasi me ato vjedhje që u bëhen votave në Shqipëri, i bie që të mos bëheshin zgjedhje fare. Dhe pikërisht për këtë arsye angazhohemi sot në krijimin e akteve nënligjore, në dhënien e mendimit tonë në mënyrë që vota të jetë sa më e sigurt dhe sa më e fshehtë dhe sa më efeciente, edhe nga ana e kostove. Po bëjmë presion të madh në KQZ që kosto e dërgimit dhe kthimit të postës të mbahet nga shteti shqiptar. Ne kemi një takim më date 14 nëntor me Gjykatën e Lartë, së cilës i kemi bërë kërkesë për integrimin e ankimimit të votës online. Pra, një pjesë e regjistrimit të votuesit është që dhe fakti nëse ka një problem ti të mund ta ankimosh, por si mund ta ankimosh nëse je në SHBA, dhe kur duhet bërë brenda 24 orëve? Kështu që bashke me përfaqësues nga OSBE dhe KQZ kemi një takim me drejtuesit e lartë e kësaj Gjykate. Pra duam të jemi sa më të përfshirë në mënyrë që ta bëjmë procesin sa më të sigurt, dhe aty duhet vëmendje dhe vrojtim maksimal.

A mendoni se përfshirja e votës së emigrantëve do të sjellë ndryshime në skenën politike të vendit, tek e fundit emigrantët kanë përvoja dhe pritshmëri të ndryshme nga qytetarët në Shqipëri.

Patjetër që do sjellë ndryshim, qoftë dhe në qasjen dhe ofertën politike që partitë do t’i bëjnë diasporës, nuk mund të jetë njësoj me atë në Shqipëri, pasi dhe problemet e diasporës në vendet që jetojnë janë të të ndryshme ose të pakta, nga çfarë mund t’i zgjidhë shteti ynë, si p.sh pensioni, njohja e dokumenteve, probleme të vogla dhe lehtësisht të zgjidhshme. Ne si lëvizje angazhohemi për përmirësimin e gjendjes në Shqipëri. Ne na shqetëson vendimmarrja aktuale që na dëmton të gjithëve, na shqetëson korrupsioni, krimi organizuar, shëndetësia dhe arsimi në nivele të ulëta dhe për të sjellë një qasje ndryshe, pra një ekspertizë tonën për ta vënë në funksion të vendit.

Partitë politike, fushatë zgjedhore me diasporën shqiptare

Diaspora e Shqipërisë ka qenë gjithmonë e rëndësishme kur bëhet fjalë për zgjedhjet, për një arsye të thjeshtë: numrin e lartë të shtetasve që jetojnë jashtë kufijve. Rreth 1.6 milionë shqiptarë kanë të drejtën e votës jashtë Shqipërisë. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, të vitit 2024, Shqipëria ka vetëm 2.4 milionë banorë. Mungesa e mundësive për të votuar për shqiptarët e diasporës ka qenë prej kohësh një çështje politike, duke u parë gjithmonë si një faktor i pa parashikueshëm dhe jo lehtësisht i manipulueshëm. Lëvizja “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” pas themelimit të saj në vitin 2020 ka nisur takimet me përfaqësues të diasporës shqiptare në Toronto, New York dhe vendet e BE duke e kthyer në një debat publik një temë të anashkaluar për tre dekadat e fundit.

Kryeministri i vendit, Edi Rama këtë vit nisi disa ture me diasporën shqiptare në Greqi, Itali, Gjermani, Britani dhe SHBA. Me këtë nismë, Rama kërkon të maksimizojë votat e diasporës për Partinë Socialiste në parlamentaret e 2025-s për të siguruar një mandat të 4-t radhazi. Kjo u pa edhe gjatë takimit të kryeministrit shqiptar me anëtarët e kabinetit të tij dhe drejtuesit e qarqeve ku u shpreh se “janë potencialisht 1 milionë vota në diasporë. Fusha është e hapur. Të gjitha forcat politike do të synojnë të marrin vota nga atje”.

Kryeministri shqiptar propozoi koordinatorë të diasporës në çdo nivel dhe qark të Partisë Socialiste. Edhe partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike (PD) emëroi një emër të njohur në politikën shqiptare si koordinatore për Diasporën, ish kryeparlamentaren dhe ish deputeten e qarkut të Shkodrës, Jozefina Topalli. Ndërkohë juristi dhe aktivisti Adriatik Lapaj, i cili me Lëvizjen “Shqipëria Bëhet” kërkon të hyjë si një subjekt i ri në zgjedhjet e ardhshme, ka nisur tashmë prej disa javësh turet me diasporën shqiptare në Greqi, Itali dhe Gjermani.

Vota e emigrantëve, test për integrimin e Shqipërisë në BE

Më 15 tetor, në Luksemburg, Shqipëria çeli zyrtarisht negociatat për kapitujt e parë me Bashkimin Evropian. Momenti është quajtur historik edhe nga përfaqësuesit e Brukselit dhe hap rrugën drejt integrimit në unionin evropian. Por, mohimi i së drejtës së votës për diasporën shqiptare ngre pikëpyetje të thella etike për përfshirjen dhe integritetin moral të sistemit zgjedhor të Shqipërisë dhe vetë organeve të qeverisjes. Shqipëria, si vend kandidat i BE-së, e ka detyrë respektimin e normave demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve. Mospërfshirja e diasporës në procesin zgjedhor rrezikon të dëmtojë rëndë imazhin e sistemit politik dhe zgjedhor në vend. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë një mundësi e artë për Shqipërinë që të tregojë përkushtimin e saj ndaj demokracisë, respektimit të së drejtave themelore dhe shtetit të së drejtës.

Në terma politikë, përfshirja e diasporës në procesin zgjedhor mund të sjellë një ndryshim të konsiderueshëm në balancat ekzistuese të pushtetit. Diaspora përbëhet nga individë me një përvojë të gjerë dhe shpesh herë me një qasje kritike ndaj sistemit politik aktual, e formuar nga përvoja në demokraci më të zhvilluara

Kontributet ekonomike të diasporës dhe ruajtja e identitetit kombëtar

Diaspora shqiptare është gjithashtu një nga kontribuuesit më të mëdhenj në ekonominë e vendit përmes remitancave dhe investimeve. Të dhënat e fundit të censit 2023 treguan se nga vendi janë larguar në dhjetë vitet e fundit mbi 420 mijë shqiptarë, ndërkohë që numri i atyre që kanë emigruar është disa fish më i lartë nëse shohim periudhat më të hershme. Të gjithë këta emigrantë shqiptarë, të pasuar edhe nga të tjerë të larguar rishtazi vitet e fundit, kanë mbajtur gjallë fluksin e dërgesave valutore në atdhe, ato që ndryshe njihen si remitancat. Një burim i rëndësishëm për mijëra familje në vend, por edhe për financimin e ekonomisë. Ritmet e remitancave kanë qenë të larta edhe këtë vit, duke kapërcyer në fund të 6-mujorit të parë vlerën e 510 milionë euro, çka sinjalizon që në fund të 2024-ës do të kemi një rekord të ri të këtij treguesi.

Në një vlerësim të bërë pak kohë më parë, Banka Botërore konstatoi se familjet shqiptare marrin nga të afërmit emigrant mesatarisht 2 mijë euro në vit dhe përfituese të këtyre parave janë rreth 174 mijë familje shqiptare ose 23% e totalit. Për më tepër, diaspora është një faktor i rëndësishëm social dhe kulturor, dhe mundësia e votimit për ta rrit interesimin dhe lidhjet e tyre më të forta me Shqipërinë, të cilat janë thelbësore për ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë kombëtare. Gjithashtu, është lehtësisht e kuptueshme që vendimet e qeverisë shqiptare nuk janë pa pasoja për diasporën shqiptare, kudo që ata jetojnë.

Diaspora shqiptare, me potencial të lartë investimesh

Por, ndikimi i diasporës në ekonominë shqiptare nuk kufizohet vetëm me sjelljen e remitancave, por është shumë më i gjerë. Emigrantët shqiptarë, mbeten një potencial i madh për investime, duke pasur parasysh nivelin e lartë të ekspertizës dhe eksperiencën që kanë fituar në vendet ku punojnë dhe jetojnë prej vitesh. Gjithashtu, shqiptarët e diasporës kanë një rrjet të madh bashkëpunëtorësh, që është shumë i rëndësishëm në ekonomi, pasi bën të mundur sjelljen në Shqipëri të investitorëve të tjerë. Sektorët ku interesi ka ardhur në rritje nga ana e investitorëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit janë: energjia; teknologjia e informacionit; turizmi dhe shërbimet financiare.

Por, shqiptarët e diasporës hasin vështirësi për të investuar në Shqipëri, ashtu si edhe një pjesë e investitorëve të tjerë. Barriera që kanë të bëjnë kryesisht me konkurrencën e pandershme, korrupsionin, ndryshimet e shpeshta fiskale dhe mungesën e orientimit të investimeve. Kushte më të mira të të bërit biznes, por edhe lehtësi të ndryshme do të nxisnin investitorët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit që ta shohin Shqipërinë, përveçse si atdheun e tyre, edhe si tregun potencial për investime dhe fitime. Diaspora është e gatshme të investojë, gjithmonë ka qenë. Përtej zgjedhjeve dhe votave që sot i duhen politikës, ekonomisë dhe shqiptarëve u duhet një vazhdimësi që shkon përtej një mandati dhe një qeverie.