Shkurt.ch

Vizitojnë si turistë, vendin prej nga “janë ndjekur”

Për këtë shkak, 100 azilkërkues me status të përkohshëm F do të humbin statusin dhe do të detyrohen të lëshojnë Zvicrën

Ata kërkojnë azil në Zvicër për shkak të rrezikut që i kërcënon në vendin e prejardhjes, por, sapo tu jepet rasti, nuk e lënë pa vizituar vendin ku “janë të rrezikuar”.

Zyra për Migracion ka vendosur që për shkak të keqpërdorimit të të drejtës për udhëtim jashtë vendit, ta reduktojë maksimalisht këtë praktikë, që ka vazhduar gjatë një viti, njofton radioja zvicerane, drs.

Tash e tutje vetëm përjashtimisht dhe në kushte të veçanta, të shqyrtuara me kujdes, personave me status F do t`u lejohet udhëtimi jashtë vendit.

Ajo u mundësonte azilkërkuesve me status të përkohshëm (F) që të udhëtojnë jashtë Zvicrës. Ndërsa sipas zyrës në fjalë, pothuaj 10 për qind të 30.000 poseduesve të këtij statusi, kanë shfrytëzuar rastin të udhëtonin si turistë për në vendet prej nga kanë ikur.

Për këtë shkak, rreth 100 azilkërkues me status të përkohshëm F do të humbin statusin dhe do të detyrohen të lëshojnë Zvicrën. Shumica e tyre janë nga vendet si Iraku, Turqia dhe vendet e Ballkanit.