Shkurt.ch

Vit me numër rekord të binjakëve: 170!

Trendi i rritjes së numrit të lindjeve të binjakëve shpjegohet me shtimin e rasteve të fekondimit artificial

Viti 2011 në spitalin universitar Inselspital të Bernës ka qenë vit rekord sa i takon lindjes së binjakëve. Plot 170 foshnja të lindura gjatë kësaj periudhe (ose 85 lindje), kanë qenë binjakë-e, ka njoftuar spitali i njohur i Bernës.

Ndonëse rritja e numrit të binjakëve të lindur këtë vit ka qenë e madhe, ajo është në përputhje me trendin e shënuar në vitet e fundit, të rritjes. Kështu, në vitin 2003 në këtë spital ka pasur 32 lindje binjakësh , në vitin 2006 ishin 49 lindje ndërsa në vitin 2008, 63 sish.

Trendi i rritjes së numrit të lindjeve të binjakëve shpjegohet, sipas përgjegjësve të spitalit, me shtimin e rasteve të fekondimit artificial. Kjo ndodh për shkak se nënat që lindin fëmijë janë gjithnjë më të moshuara, ndërsa klinika gjinekologjike në këtë spital është e vetmja në Zvicër, e specializuar për shtatzënitë e ndërlikuara me binjakë.