Tematike

Visar Morina me filmin “Exil” në Festivalin e Filmit të Cyrihut

Vlen të përmendet se regjisori Morina do të jetë i pranishëm edhe personalisht në festivalin e Cyrihut, i cili fillon sonte, më 24 shtator. Filmi do të ketë 4 shfaqje

Në programin “Në Fokus të konkurrencës” Festivali i filmit i Cyrihut (ZFF) në edicionin e tij të 16-të që fillon sot, prezanton dymbëdhjetë filma të rinj me metrazh të gjatë dhe dokumentarë nga vendet gjermanjshtfolëse: Zvicra, Gjermania dhe Austria.

Të gjithë këta filma janë vepra e parë, e dytë ose e tretë e regjisorëve përkatës.

Në mesin e tyre është edhe filmi i regjisorit shqiptar nga Kosova, i cili krijon në Gjermani, Visar Morina “Exile”. Filmi është një bashkëprodhim i Gjermanisë, Belgjikës dhe Kosovës. Gjuhët në të cilat flitet në këtë film janë gjermanishtja dhe shqipja, shkruan albinfo.ch.

Vlen të përmendet se regjisori Morina do të jetë i pranishëm edhe personalisht në festivalin e Cyrihut, i cili fillon sonte, më 24 shtator. Visar Morina është i njohur për publikun gjerman dhe atë ndërkombëtar edhe me filmin e tij shumë të suksesshëm “Babai”.

Për filmin më të ri të Morinës kanë shkruar së fundi në superlativ mjaft media të hapësirës gjermanishtfolëse. Në disa nga këto shkrime, filmi “Exile” emërtohet madje si “film kyç për temën e miogracionit në shoqëritë moderne”.

“Duhen më pak se 20 minuta, dhe filmi  “Exil” i Visar Morinës tregon të gjitha shenjat e një trileri të shkëlqyeshëm psikologjik që zhvillohet në korridore dhe në dhomat e takimeve të një kompanie gjermane të mesme, shkruan “Der Standard”, transmeton albinfo.ch. Jo domosdoshmërisht nga fakti që Xhaferi ka lindur në Kosovë, filmi “Exil” edhe si një triler konvencional mund të ishte i imagjinueshëm dhe sigurisht shumë tërheqës. Por, ajo që e bën këtë një film kyç për Gjermaninë e sotme dhe për shoqëritë e ngjashme migrante evropiane – përfshirë edhe Austrinë – është diçka tjetër.  Xhaferi duket se është “integruar” mirë në çdo aspekt, por ka një ndryshim këtu. Ai ju bën të pyesni veten menjëherë nëse ndjenja e këtij ndryshimi është subjektive apo objektive. Dhe, këtë tension Morina e përpunon me një siguri të jashtëzakonshme narrative”.

Xhaferi është një inxhinier farmaceutik 45 vjeç, i cili ka lindur në Kosovë dhe tani jeton në Gjermani. Ai është i martuar me gjermanen Nora (Sandra Hüller) dhe kanë bashkë tre fëmijë, transmeton albinfo.ch. Filmi na tregon jetën e tij të përditshme, e cila merr një kthesë për të keq në momentin kur ai gjen një mi të ngordhur në portën e tij.

Ky gjest për të është fare qartë, me motiv racist. Kështu, ai fillon të shohë racizmin prapa të gjitha problemeve të tij dhe gradualisht, me sjelljen e tij paranojake, largon familjen dhe miqtë. A është i arsyeshëm shqetësimi i tij? Apo ndoshta është vetë fajtor për situatën që po kalon?

E gjitha është një udhëtim i errët në mendjen e një njeriu që ndjen se po trajtohet padrejtësisht nga bota që e rrethon. Me këtë rast regjisori Visar Morina dhe ekipi i tij arrijnë të empatizojnë audiencën me këtë njeri.

Rolin e Xhaferit e luan aktori i njohur gjerman me prejardhje kroate, Mišel Maticevic. Ai këtu ka detyrën që dashamirësit mesatarë të kinemasë t`i bëjë të kuptojnë një njeri në një situatë në të cilën ata vetë kurrë nuk do të jenë … Dhe, Maticevic e menaxhon shumë mirë këtë, përcjell albinfo.ch. Ai krijon një realitet të perceptuar të një njeriu delirant, të cilin e kemi të vështirë ta kuptojmë. Gruaja e tij Nora është në një mënyrë në të njëjtën situatë sikur shikuesi.

“Exil” është një projekt ambicioz që adreson  në një mënyrë jo konvencionale çështje serioze si racizmi dhe ngacmimi (mobingu). Dilema e ngatërruar në mes të racizmit të vërtetë dhe paranojës e përshkon në fakt gjithë filmin. Dhe duket se vetë regjisori Morina e njeh më së miri këtë fushë: përvojat e tij personale me racizmin që përjetohet në përditshmëri gërshetohen në këtë film, transmeton albinfo.ch. Ai tregon sesi racizmi dhe paranoja shkojnë krah për krah dhe ushqejnë njeri-tjetrin.

Megjithatë, filmit duhet t`i bëhet një vërejtje për faktin se duke qenë në thelb një histori rreth racizmit, bëhet histori që rrezikon të relativizohet. “Exil” nuk është një film për të ndjerë kënaqësi kur ta shikosh. Ai është më shumë një përvojë kërkuese që mund ta bëjë shikuesin të ndihet pakëndshëm. Por kjo është arsyeja pse padyshim ia vlen të shikohet në kinema.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Gjermanisë, Kosovës dhe Belgjikës: Titulli origjinal: “Exil”; Drama; D, Bel, RKS 2020; Regjisori: Visar Morina; Skenari: Visar Morina; Aktorët: Mišel Maticevic, Sandra Hüller, Rainer Bock, Thomas Mraz, Flonja Kodheli; distribucioni: Alamode Film.

Kur mund ta shikoni filmin “Exile”

Filmi “Exil” shfaqet: Të hënën, më 28 shtator, nga ora 18.00 në kino Corso 4; më 29 shtator, ora 13.00 Kino Kosmos 1;  më 3 tetor, 20.30, në “filmpodium” dhe më 4 tetor, kino “Arthouse Piccadilly” ora 20.15.