Futboll

Vedat Muriqi godet Spanjën dhe La Ligan

Vedat Muriqi ka dhënë një intervistë për mediumin spanjoll “Ultimahora”, duke rrëfyer se si Kosova ende nuk njihet nga Spanja dhe vështirësitë e tij për t’u futur në këtë vend për shkak të vizave.

Reprezentuesi i Dardanëve është duke shkëlqyer te Mallorca në këtë edicion, ku ka shënuar 12 gola dhe ka dy asistime.

Lojtari 28-vjeçar deklaroi se mos pasja e vizës po e penalizoj shumë atë, për shkak që familjarët dhe miqtë e tij nuk mund ta vizitojnë atë në Spanjë, por edhe për atë që kishte vendosur të fliste me klubin për situatën e tij.

“Më shqetëson shumë sepse kjo do të thotë se familja ime ose miqtë nuk mund të vijnë këtu”, fillon rrëfimin Muriqi për Ultimahora.

“Duhet të marrësh vizë nga Maqedonia e Veriut, por del se vizat janë vetëm për maqedonasit. Unë pata shumë probleme me lejen e qëndrimit dhe arrita në një pikë që thashë: Do të flas me klubin dhe po iki. Në fund u rregullua”.

“Gjithashtu nuk më pëlqen që La Liga nuk na njeh. Një gjë është politika dhe një tjetër, sporti. Pastaj flitet shumë për ‘Jo për racizmin’, por ky është racizëm. Sporti duhet të shërbejë për të bashkuar njerëzit, jo për t’i ndarë ata”.

Muriqi u ndalë të fliste edhe për të kaluarën e tij, duke thënë se ai kishte filluar të punonte si fëmijë dhe se u detyrua ta lëshonte Kosovën shkaku i luftës.

“Ishin ditët që askush nuk dëshiron t’i jetojë ato momente. Kishte shumë gjëra të këqija. Na u desh të iknim nga shtëpia jonë, ku jetuam rreth 50 persona në një shtëpi”, potencon më tej sulmuesi i Kosovës.