Shkurt.ch

Ushtria e Zvicrës me 100 mijë ushtarë

Për këtë numër ushtarësh kanë votuar 113 veta kundrejt 67 sish që kundërshtuan

Një debat i nxehtë për numrin e ushtarëve që duhet t`i ketë ushtria e Zvicrës është kurorëzuar dje në Parlamentin Nacional me shifrën 100.000, për të cilën kanë votuar 113 veta kundrejt 67 sish që kundërshtuan këtë numër.

Gjatë seancës parlamentare, partitë e ndryshme kishin propozime të ndryshme për madhësinë e armatës. Kështu SVP-UDC pastaj disa deputetë të FDP-së (liberalëve) dhe të CVP-së (demokristianë) preferonin një ushtrri më të madhe në numër, gjegjësisht 120 mijë ushtarë. Partia Socialdemokrate ishte për 60 mijë ushtarë (por do të pranonte edhe 80.000) ndërsa të Gjelbrit për një ushtri të vogël prej 30 mijë ushtarësh.

Propozimi i Qeverisë Federale ishte që ushtria e Zvicrës të ketë 80 mijë ushtarë, bën të ditur drs.ch. Në fund kompromisi u arrit në 100 mijë sish.

Ndërkohë, Dhoma e kantoneve e Parlamentit të Zvicrës ka kërkuar blerjen e 22 aeroplanëve të rinj luftarakë, deri në vitin 2015. Por, nga ana tjetër Qeveria do të dëshironte që aeroplanët luftarakë t`i blejë vetëm pas dhjetë vitesh sepse aktualisht mungojnë të hollat. Për këtë arsye ajo e ka shtyrë vendimin për këtë pikë.