Opinione
Ujëvara e Sotirës, një mrekulli që meriton të vizitohet
Që moti, kur e kisha lexuar librin “Letra nga burgu” të Antonio Gramshit, mbiemri Gramshi më kishte zgjuar një ndjenjë të veçantë, dhe kur në hartë e kisha parë se Gramshi është një qytet në Shqipërinë e mesme, e kisha ndarë mendjen ta vizitoja dhe ja tani, kur kuptova se edhe Ujëvara e Sotirës ndodhet në afërsi të tij, kishte ardhur çasti që ta realizoja këtë vizitë…
E shtunë, 1 qershor 2019. Po udhëtonim nga Elbasani në drejtim të Durrësit, me një makinë të marrë me qira në Prishtinë, dhe objektiv kishim qytetin e Gramshit, për të vijuar drejt Ujëvarës së Sotirës.
Ishte ora 12.45 kur para na u shfaq tabela rrugore, e cila tregonte shenjën se duhej të ktheheshim majtas në drejtim të Cërrikut. U kthyem dhe vazhduam me shpejtësi të ngadalësuar nëpër një rrugë të asfaltuar, por me pengesa. Tashmë kishim kaluar Cërrikun dhe para na u shfaq tabela që paralajmëronte Liqenin e Banjës, kur para nesh na u shfaq madhështor liqeni, me një pamje mbresëlënëse. U ndalëm buzë tij në një cep rruge para një ure të gjatë, me një pamje të bukur që lidhte dy brigje. Bëmë disa foto dhe vazhduam rrugën drejt Gramshit, në të cilin nuk kishim qenë më parë. Kureshtja se çfarë qyteti do të jetë sikur ma bënte rrugën tepër të gjatë, kur në horizont pamë disa blloqe ndërtesash që tregonin se qyteti është afër…
Hymë në Gramsh, një qytet i vogël, por i qetë dhe me një rend në dukje të rregullt. Në çast m’u kthye kujtesa te personaliteti i Antonio Gramshi (1891 – 1937), një mendimtar i shquar dhe simbol i antifashizmit europian, i cili trashëgoi nga familja si mbiemër pikërisht emrin e qytetit të Gramshit dhe i cili ishte tejet krenar me origjinën e tij. Ndihesha krenar që Gramshi kishte dhënë një kontribut shumëdimensional në lëvizjet e kohës, i cili nderohet dhe respektohet shumë edhe sot në mbarë Italinë dhe më gjerë për gjestin e tij të madh, për të sakrifikuar jetën në emër të njerëzve të thjeshtë, si një luftëtar për drejtësi shoqërore…
E ndalëm makinën skaj rrugës pranë një dyqani, ku disa persona ishin ulur dhe po bisedonin qetësisht. Pasi i përshëndeta, u tregova qëllimin e vizitës sonë dhe synimin për ta vizituar Ujëvarën e Sotirës. Me një sjellje dashamirëse na treguan se me makinën tonë ishte e pamundur të dilnim te ujëvara, kështu që e vetmja mundësi ishte marrja e një furistrade për të arritur te ujëvara. Na treguan vendin ku mund të kontaktonim një shofer që mund të na dalë në ndihmë. I falënderova dhe u nisëm drejt spitalit të qytetit, si pikë ku na referuan se mund të kontaktonim ndonjë taksist dhe, për befasinë tonë, nuk patëm telashe për ta gjetur.
U nisëm me furistradë, një Range Rower i vjetër, por i mirëmbajtur. Shoferi, një burrë rreth të pesëdhjetave, me telashe shëndetësore të dukshme, por gjithmonë i buzëqeshur dhe me humor, na tregonte për përvojat e tij në vozitje dhe për interesimin e shtuar të vizitorëve për ta përjetuar këtë ujëvarë… Meqenëse 4-5 kilometrat e parë të rrugës ishin të asfaltuara, unë si të doja ta kontestoja atë që na kishin thënë për rrugën, iu drejtova shoferit:
-Nëpër këtë rrugë do t’ia kishim dalë edhe me makinën tonë…
-Thua ti se kemi dashur vetëm t’ua zhvatim paratë, a? Jo, or mik, tani do të bindesh.
Dhe, sikur ta kishim kurdisur muhabetin, kur shoferi mori një kthesë në të djathtë dhe u fut në një rrugë malore, e cila vërtet ishte e vështirë për t’u kaluar. Po udhëtonim drejt malit Tomor, nëpër një terren shumë të papërshtatshëm, e që këtë rrugë ta bënte edhe më të vështirë u përkujdes shiu që filloi të binte, njëherë i qetë dhe i rrallë, por që sa vinte e shtohej…
-E sheh se ç’rrugë është, si mendon tani, or mik?
-E po, të lutem, ne të besuam, prandaj edhe vendosëm të udhëtonim me ju…
Shiut i frikësohej edhe vetë shoferi, ngase në një segment rruge mund të krijonte rrezikshmëri të lartë edhe për vetë furistradën, dhe derisa ne po bisedonim për motin, në një kthesë rruge para na doli një furgon me nxënës të shumtë që kishin ardhur nga Tirana dhe pasi e kishin vizituar ujëvarën, po ktheheshin. Për një çast u gjendëm ballë për ballë, dhe me gjithë shpejtësinë që s’ishte sa e një traktori, u ndalën pa ditur cili të lëvizte mbrapa që të lironte rrugë. Shoferi i makinës sonë lëvizi mbrapa disa metra derisa arriti të skajohej sa të mund të kalonte furgoni, për të vazhduar rrugën me më shumë kujdes.
Në bisedë e sipër na tregoi se ka sfida të shumta në punën e tij, por që e bën me shumë qejf kur sheh interesimin e vizitorëve për ta shijuar këtë mrekulli natyre. Duke e nxitur me pyetje të shumta, na tregonte se dy-tri vjetët e fundit është rritur dukshëm interesimi për ta vizituar këtë ujëvarë, por që shteti nuk ka bërë asgjë për ta rregulluar këtë rrugë diku rreth 20 kilometra e gjatë, për çka të gjithë vizitorët shprehen të zhgënjyer.
Kur para na doli një luginë e hapur, nëpër të cilën kalonte Tomorica, një lumth i vogël, me pak ujë, por me shtrirje të gjerë, furistrada e kapërcente me shumë vështirësi dhe menjëherë pas saj u kthyem në të djathtë, drejt fshatit Sotirë. Rruga vende-vende ishte jo vetëm në dukje e pakalueshme, por edhe e frikshme, sa të çuditej njeriu si ia mësynin këta shoferë me mjetet e tyre motorike… Arritëm në Sotirë, ku kishin ndaluar shumë makina dhe, ashtu siç na tregoi shoferi, vizitorët nga këtu vijojnë këmbë deri te ujëvara, diku rreth 4-5 kilometra, një rrugë tepër e vështirë dhe e papërshtatshme. Kurse ne vijuam me makinën tonë për t’iu afruar ujëvarës deri në fund të rrugës, ku nuk mund të vazhdohet tutje. Për të na e bërë këtë udhëtim edhe më të pakëndshëm, në rrugë kishte mbetur e bllokuar një makinë, të cilën kishte arritur ta bartte një makinë për tërheqje, por e cila nuk mund t’i afrohej vendit për shkak të vështirësive të rrugës. Me shkathtësitë e tij prej një shoferi të rryer, tashmë me përvojë në këto kushte rruge, furistrada u skajua në një pikë ku, me gjithë rrezikun, e kaloi pengesën dhe vijoi tutje, kur para na u shfaq Tomori madhështor, i thepisur, majat e të cilit ishin të mbuluara me borë. Në anën e djathtë të rrugës shtriheshin vargmale të shumta, nga ku tashmë mund ta shihnim një vijë uji që rridhte nga maja e malit dhe lëshohej teposhtë, njëra pjesë e ujëvarës, që krijonte një pamje mahnitëse. Mirëpo ende nuk e shihja ujëvarën që e prisja, edhe pse e dija se jemi diku krejt afër saj. Ishim në pjesën e fundit të rrugës dhe shiu sa vinte e shtohej, duke na e bërë shumë të papërshtatshëm qasjen, sepse, siç na tha shoferi, ne duhej të ecnim rreth 10 minuta këmbë deri te ujëvara.
Shoferi e ndali makinën dhe na tregoi se arritëm në cak, ne dolëm jashtë dhe e veçanta e këtij ambienti ishte zhurma e ujëvarës që dëgjohej dhe që krijonte një ndjenjë të papërjetuar ndonjëherë. Shiu që pak më parë pothuajse ishte ndalur, tashmë filloi përsëri, andaj shoferi na sugjeroi që të shpejtonim, sepse terreni për t’u afruar është jo vetëm i vështirë, por edhe i rrezikshëm, nëpër mot me shi.
Iu ngjitëm malit në anën e majtë, duke i ndjekur disa shtigje këmbësorësh dhe përballë na doli ujëvara në anën e djathtë, me pamjen e saj të bukur dhe zhurmën magjepsëse, me një rrjedhë uji që dilte nga shkëmbi, në gjysmë të lartësisë së Tomorit dhe binte poshtë prej një lartësie rreth 20 metrash, duke krijuar një pamje krejt të veçantë dhe të paparë… Që t’i afroheshim duhej zbritur në fundin e saj, e kjo nëpër atë mot me shi ishte gati e pamundur. Nuk mund ta bindja veten që kaq afër e të mos lëshohesha krejt në fundin e saj, me gjithë rrezikun nga rruga e rrëshqitshme. Shiu sa vinte e shtonte intensitetin, duke e bërë shtegun tani më krejtësisht të pakalueshëm. Në një çast e vërejta se ishte e pamundur të zbrisja më poshtë, duke mos mundur të ndalesha së rrëshqituri, kështu që kur nuk isha më shumë se pesë a gjashtë metra para fundit, u detyrova të kthehem, duke u ballafaquar me kushte ekstreme të rrëshqitshme, sa m’u desh të devijoja rrugën dhe vetëm duke u mbajtur për degë shkurresh mezi arrita të ngjitem lart, i tëri i lagur dhe u zhytur me baltë…
E shijuam sa mundëm nga afër, por jo krejt pranë saj, për të nisur kthimin derisa shiu vazhdonte të binte jo me aq intensitet…
Ajo që më ra në sy ishin disa mure betoni dhe nga kureshtja e pyeta shoferin…
-E po, jemi shqiptarë dhe…flitet se një personalitet politik krejt në kundërshtim me interesin qytetar dhe shtetëror për ruajtjen e natyrës, i ka bërë këto investime, duke e futur tërë atë sasi uji në gypa betoni, duke e zhdukur kështu një lumë të tërë dhe e ka destinuar atë sasi uji për një hidrocentral, sigurisht në bashkëpunim me një biznesmen norvegjez, tregonte tepër i zhgënjyer shoferi vendës, derisa rrugën e kishin lënë në këtë gjendje të mjerë…
Sa e tmerrshme m’u duk kjo, si është e mundur një vend i shpallur monument natyre nga shteti të degradohet deri në këtë masë… dhe, në anën tjetër, të mos vërehet asnjë investim në mirëmbajtjen e rrugës… Këtu, ndoshta më shumë se gjithkund tjetër, vëren gjurmë të dy ekstremeve: nga njëra anë një mrekulli të rrallë natyre dhe, në anën tjetër, një ndërhyrje e vrazhdë e njeriut në shkatërrimin e saj…
Bekimi, shoferi i furistradës, një burrë rreth të 50-ave, kishte një trup mesatar, ishte llafazan, por edhe i mirinformuar. Kishte punuar për më shumë se 7 vjet në Greqi, ku kishte bërë disa kursime dhe ishte kthyer në Shqipëri. Tregonte gjithçka nga përvoja e tij jetësore, por dy momente kishin lënë gjurmë në jetën e tij: në sistemin piramidal më 1986 -87 kishte humbur rreth 20 mijë euro, duke përjetuar thyerje të madhe, si dhe largimin për në Greqi, në mënyrë ilegale, me ç’rast kishte përjetuar një ndjenjë mezi të përballueshme përuljeje dhe nënshtrimi…Mirëpo, më vonë, në punë e sipër nga grekët kishte edhe kujtime të mira, por gjendjen aspak më të mirë nuk e shihte as tani, ku përsëri po mendonte të largohej drejt Greqisë…
Ishte pasdite e vonë, pothuajse buzëmbrëmje kur po largoheshim nga Gramshi, me përjetimin e kësaj vizite dhe prapa po e linim qytetin në hallet e tij, e ne përsëri rrugës skaj liqenit po udhëtonim drejt Tiranës…
E-Diaspora
-
Mbi 30 mijë aplikime nga diaspora për t’u regjistruar si votues Janë bërë mbi 30 mijë aplikime, ndërsa 1,990 janë refuzuar...
-
Çfarë i premton PDK diasporës?
-
Albin Kurti dhe Diaspora: Në mes të premtimeve dhe realizimit
-
Hyra Morina Sylkaj, shqiptarja e parë shofere e autobusit në Vjenë
-
11 kompani nga Diaspora në Konventën e 7-të të industrisë së drurit në Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Rënia e normës së hipotekave në Zvicër parashikon një lajm të mirë për blerësit Hipotekat ishin bërë më të shtrenjta në Zvicër pasi normat e inflacionit u rritën pas pushtimit...
-
Rritja e çmimeve zvogëlon kërkesën në tregun zviceran të banesave
-
Aargau është kantoni zviceran me “lirinë” më të madhe
-
Banka Kombëtare e Zvicrës pritet të ulë më tej normat e interesit
-
Karin Keller-Sutter, zyrtarisht presidente e Zvicrës për vitin 2025