CH-Ballkani

Tirana me autobusë elektrikë

Tirana do të testojë për herë të parë autobusët elektrikë

Kryeqyteti shqiptar, Tirana do të testojë për herë të parë autobusët elektrikë. Nëse investimet në infrastrukturë do ti përshtaten këtyre mjeteve të reja të transportit publik, projekti do të implementohet menjëherë.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi këtë projekt si risi në transportin publik, ndërsa tha se në këtë mënyrë vendi ecën përkrah vendeve të zhvilluara evropiane, raporton “TCH”.

“Po investojmë tek rrugët, por edhe tek mjetet e reja të transportit. Sapo kemi konfirmuar që këtë vjeshtë Tirana të jetë qyteti ku do të testojmë autobusët elektrikë për herë të parë, për të parë se si përgjigjen me parametrat e rrugëve të Tiranës, të motit, të temperaturës dhe të distancave të linjave tona. Me të kaluar me sukses periudhën e testimit do të bëjmë porositë për t’u siguruar që Tirana është avangardë në Evropën Juglindore, kur vjen puna edhe tek cilësia e transportit, por sigurisht edhe tek infrastruktura që na mundëson transporti”, ka thënë Veliaj, përcjell albinfo.ch.