Shkurt.ch

Të huajve të dënuar dhe të dëbuar nuk do t`u lejohet kthimi në Zvicër

Sipas komisionit përkatës për kriminelët e dënuar nuk do të ketë më përjashtime sa i përket lejes për të hyrë në Zvicër

Të huajve që dëbohen nga Zvicra për krimet e kryera këtu, nuk bën tu lihet një afat për kthim të sërishëm në Zvicër. Kështu ka kërkuar SVP-UDC e Cyrihut në një mocion të saj drejtuar komisionit për politikë shtetërore të parlamentit federal të Zvicrës.

Kjo parti kërkon që e ashtuquajtura masë e pezullimit të të drejtës së kthimit, të zbatohet vetëm në raste të veçanta, për çështje humanitare, siç janë, fjala vjen varrimi i familjarëve etj.

Komisioni, me14 vota për 10 kundër dhe dy abstenime ka pranuar iniciativën e SVP-UDC-së. Sipas kësaj, për kriminelët e dënuar nuk do të ketë më përjashtime sa i përket lejes për të hyrë në Zvicër.

Nga ana tjetër, kundërshtarët e mbetur në pakicë mendojnë se duhet lënë mundësia e ardhjes për kohë të kufizuar në Zvicër e personave të dënuar. Arsyeja humanitare peshon më shumë se rreziku i përsëritjes së veprës, arsyetojnë ata.

Megjithë këtë, për të filluar procedimin e kësaj iniciative nëligj, nevojitet edhe pëlqimi i komisionit omonim të Dhomës së Kantoneve.