Shkurt.ch

Të huajt, tri herë më shumë raste sociale se zviceranët

Kantonet e mbizotëruara nga popullata urbane si Gjeneva ose Bazeli kanë shkallë më të lartë të rasteve sociale se sa kantonet me popullatë rurale

Numri i personave që shfrytëzojnë ndihmat sociale gjatë vitit 2012 ka shënuar një ngritje në krahasim me një vit më parë. 250 mijë veta janë varur nga ndihmat sociale gjatë vitit të përmendur, që është për 14200 veta më shumë se në vitin 2011, ka njoftuar Zyra Federale për Statistika (BFS).

Njëherësh në njoftim thuhet se viti 2012 është i pari pas me rritje të numrit të rasteve sociale pas tri vitesh që ky numër kishte shënuar rënie. Po kështu është rritur për 0.1 % shkalla e përfaqësimit të rasteve sociale në popullatën e vendit duke arritur në 3.1%.

Sipas BFS, rritja shpjegohet në masën më të madhe me futjen e ndihmave për të papunët (të nivelit kantonal) në kuadrin e ndihmave sociale në Kantonin e Gjenevës, bën të ditur srf.ch. Vetëm ky fuzion ka bërë që numri i përfituesve të ndihmave sociale të rritet për 3200. Por, edhe pavarësisht kësaj, një rritje është regjistruar edhe në kantonet tjera.

Marrë në përgjithësi, kantonet e mbizotëruara nga popullata urbane si Gjeneva ose Bazeli kanë shkallë më të lartë të rasteve sociale se sa kantonet me popullatë rurale. Ndërsa në përgjithësi kantonet frankofone kanë proporcionalisht më tepër të varur nga ndihmat sociale se sa kantonet gjermanofone.

Rreth 75000 persona që marrin ndihma sociale janë nën oshën 18 vjeçare, numër që përbën afërsisht një të tretën e numrit të përgjithshëm.

Marrë sipas përkatësisë shtetërore, përqindja e të huajve që marrin ndihma sociale është trefish më e lartë se ajo e shtetasve zviceranë. Kështu, te zviceranët përqindja e rasteve sociale është 2.2%, te të huajt kjo është 6.3%. te femrat me shtetësi të huaj përqindja është 6.6 ndërsa te meshkujt 6.3%.