Tematike

Të huajt paguajnë më shumë qira dhe i besojnë më shumë sistemit se sa zviceranët

20% e njerëzve me prejardhje të huaj në Zvicër ka vështirësi të "dalë në fund të muajit" financiarisht. Ndërsa tek njerëzit pa këtë prejardhje, kjo shkallë është vetëm 7%

Popullsia zvicerane me sfond migrimi është mesatarisht më e dobët financiarisht se ajo vendore.
Nga ana tjetër, çmimet e qirasë për të njëjtën hapësirë ​​janë dhjetë për qind më të larta për “të huajt”. Këtë e thonë shifrat e fundit të publikuara sot nga Zyra Federale e Statistikave (BFS).

Çdo person i pestë  (20%)me prejardhje të huaj në Zvicër ka vështirësi të “dalë në fund të muajit” financiarisht. Ndërsa tek njerëzit pa këtë prejardhje, kjo shkallë është vetëm 7%.

Njerëzit me sfond migrimi jo vetëm që paguajnë më shumë qira, por po ashtu edhe apartamentet e tyre janë më të ngushta, më të zhurmshme dhe më pak të rehatshme, transmeton albinfo.ch. Kjo del nga statistikat më të fundit të integrimit nga Zyra Federale e Statistikave (BFS).

Mesatarisht, njerëzit pa sfond migracioni, në vitin 2019 kanë paguar 15.60 CHF për metër katror të hapësirës së jetesës. Ndërsa për ata me prejardhje të huaj, metri katror ka kushtuar 1.60 CHF më shumë.

E njëjta hapësirë ​​për banim, qiraja më e lartë

Meqenëse njerëzit me sfond migrimi gjithashtu kanë pasur fitime më të ulëta ata janë detyruar të kompensojnë qiranë e lartë duke reduktuar hapësirën e tyre të jetesës. Kështu, emigrantët kanë marrë banesa me mesatarisht 32 metra katrorë për person, ndërsa zviceranët vendës kishin 45 metra katrorë në dispozicion – 40 për qind më shumë.

“Megjithatë, statusi i migrimit nuk është i vetmi faktor shpjegues për ndryshimet e gjetura midis këtyre grupeve të popullsisë. Kritere të tjera, si mosha ose niveli i arsimimit gjithashtu mund të kenë ndikim”, shkruan BFS.

Një problem në të gjitha nivelet e arsimit

Njerëzit me prejardhje migrimi që kanë ndjekur vetëm shkollën e detyrueshme (fillore) ose arsimin e mesëm të lartë kanë dy herë më shumë gjasa të ballafaqohen me shqetësime financiare. Kështu, nëse pothuajse 15 për qind e vendasve me rrënjë zvicerane kanë probleme mbijetese, këtë problem e kanë pothuajse 30 për qind e njerëzve me prejardhje migrimi, transmeton albinfo.ch. Në nivelin sekondar dallimi është 8.6 krahasuar me 17.6 për qind.

Marrë proporcionalisht, arsimimi i lartë më së paku i favorizon ata që “nuk janë nga këtu”. Pra: nëse je  me prejardhje të huaj dhe ke diplomë universitare, në njëmbëdhjetë për qind të rasteve, banorët me sfond migrimi kanë probleme të qëndrojnë financiarisht në këmbë. Ndërsa vetëm 3.6 për qind e zviceranëve me rrënjë vendëse që kanë diplomë universiteti kanë këtë problem.

Ndërkaq, rreziku i të huajve të cilët braktisin shkollën fillore për të mos pasur fonde në fund të muajit është ulur pak gjatë dhjetë viteve të fundit në krahasim me zviceranët me arsim po aq të dobët.

Të huajt kanë më shumë besim në institucione se sa vetë zviceranët

Pavarësisht nga disavantazhi i tyre i dëshmuar statistikisht, njerëzit me prejardhje të huaj ndihen pothuajse të barabartë me zviceranët për sa u përket mundësive: Kështu, derisa 73 për qind e zviceranëve vendës besojnë se të huajt duhet të kenë të njëjtat shanse sikur ata, 76.7 për qind e banorëve me sfond migrimi kanë po këtë qëndrim, përcjell albinfo.ch. Kur bëhet fjalë për besimin në sistem, emigrantët janë edhe më besnikë ndaj institucioneve sesa banorët me rrënjë zvicerane.

Edhe në temën e multikulturalizmit, pikëpamjet nuk ndryshojnë aq shumë: 70.6 për qind e zviceranëve pa sfond migrimi pajtohen plotësisht me pohimin e mëposhtëm: “Shumëllojshmëria e kombësive dhe kulturave pasuron vendin tonë”. 80.2 për qind e atyre që kanë rrënjë të huaja gjithashtu do ta nënshkruanin këtë pohim. Në të dy kampet, miratimi rritet me rritjen e arsimit.