Tematike

Të huajt frikësohen të kalojnë në “social”, rrezikojnë lejen e qëndrimit në Zvicër

Meqenëse punëtorët e pastrimit nuk preken drejtpërdrejt nga masat e Qeverisë Federale për koronavirusin, ata nuk mund të kërkojnë kompensim për punë si njerëzit e tjerë të vetëpunësuar

Të huajt, nëse marrin ndihma sociale, rrezikojnë të dëbohen nga Zvicra

Nëse të huajt në Zvicër do të varen nga ndihmat sociale, ata mund të humbasin lejen e qëndrimit. Kjo është arsyeja përse shumë prej tyre evitojnë të kërkojnë ndihmën sociale – edhe nëse janë të prekur nga kriza e koronavirusit, shkruan watson.ch. Sekretariati Shtetëror për Migrim (SEM) kërkon tani vullnet të mirë nga kantonet lidhur me rastet e kësaj kategorie.

Emilia Cortez *, një grua me banim në Cyrih, ka pesë vjet që jeton në Zvicër. Ajo ka pasaportën italiane, një leje qëndrimi B dhe punon si  pastruese e pavarur. Emilia ka themeluar një ndërmarrje të pavarur ku është e vetëpunësuar. Firma individuale është e regjistruar në regjistrin tregtar dhe Emilia pastron apartamentet dhe shtëpitë e mbi 30 klientëve – kryesisht në zonat e pasura si Goldene Küste të Cyrihut dhe në Seefeld.

Në fillim ajo ishte e kënaqur që nuk ishte prekur nga ndalimi i punës dhe mund të vazhdonte të punonte edhe pas 16 marsit, kur shumë shërbime u desh të mbylleshin. Por gradualisht klientët filluan ta “çregjistrojnë” atë, transmeton albinfo.ch. Shumica e tyre nuk donin më që të kishin një të huaj në shtëpi. Të tjerët ishin në karantinë.

“Për faktin se shkoj nga një klient tek tjetri, sigurisht që jam parë si një makinë e murtajës që ecën,” thotë Cortez. Kështu që tani ajo praktikisht nuk ka më fare të ardhura. Klientë individualë vazhdojnë t’i paguajnë asaj orët kur ajo punon. “Kjo vetëm sa më mban disi mbi ujë”, thotë ajo.

Meqenëse punëtorët e pastrimit nuk preken drejtpërdrejt nga masat e Qeverisë Federale për koronavirusin, ata nuk mund të kërkojnë kompensim për punë si njerëzit e tjerë të vetëpunësuar, përcjell albinfo.ch. Ata mund të aplikojnë për një kredi pa interes ose të shkojnë në zyrën e mirëqenies sociale.

“Por, huamarrja nuk është e mundur për mua. E di që nuk mund ta paguaja atë pastaj”, thotë Cortez. Ndërkohë që koha dhe mungesa e parave tashmë po bëjnë presion për të dhe tri vajzat e saj, ajo ka marrë një informacion nga zyra e mirëqenies sociale. “Por ata më këshilluan qartë që të mos aplikoja për ndihmë sociale tani sepse kjo do të ishte një shpatë me dy tehe”, tregon Emilia. Dihet se që prej vitit 2019, zyra e mirëqenies sociale është e detyruar të raportojë në zyrën e migracionit për ata që marrin ndihmë sociale. Sipas Ligjit për të huajt dhe integrimin, të huajt mund të humbin lejen e tyre të qëndrimit në Zvicër nëse varen nga ndihma sociale, transmeton albinfo.ch. “Nuk dua ta rrezikoj këtë. Kam ndërtuar me shumë mund tërë ekzistencën time këtu në Zvicër”, thotë Cortez.

Kështu, pastruesja e vetëpunësuar ende është duke pritur për masat eventuale nga niveli federal. “Por secila ditë që kalon është një luftë”. Për javë të tëra ajo vuan nga netët pa gjumë dhe sulmet e panikut. “Familja ime dhe unë thjesht mezi jemi duke mbijetuar. Tashmë bëhet fjalë për ekzistencën tonë. Së fundi ajo ka filluar të rritë perime në ballkonin e saj. “Kush e di se sa do të zgjasë…

Rasti i Emilia Cortez nuk është i izoluar; shumë të huaj aktualisht po ndjehen si ajo. “Ky është qartazi një problem në krizën aktuale”, konfirmon edhe Markus Kaufmann nga Konferenca Zvicerane për Ndihmë Sociale, përcjell albinfo.ch. Prandaj do t’i rekomandonim kantonet që të marrin parasysh situatën e jashtëzakonshme dhe për momentin të interpretojnë më me bujari dispozitat përkatëse të ligjit për shtetasit e huaj, në favor të të prekurve. “Përndryshe kemi rrezik që shumë prej tyre të mos guxojnë të kërkojnë ndihmë sociale. Pasojat do të ishin edhe më të mëdha”, thotë Kaufmann. Atyre që nuk kanë nevojë të marin ndihmë sociale afatgjatë dhe të madhe, Kaufmann u rekomandon të shkojnë në zyrën e mirëqenies sociale përkundër efekteve të mundshme në lejen e qëndrimit.

Edhe Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) kërkon gjithashtu vullnet të mirë nga kantonet. “Ne u rekomandojmë kantoneve që të marrin parasysh këto rrethana të jashtëzakonshme dhe të sigurohen që të prekurit të mos dëmtohen prej tyre” shkruan SEM për gazetën Der Bund. Kjo vlen edhe për vlerësimin lidhur me përfitimet e sigurimeve shoqërore dhe për çështjen nëse kjo ndodh vetëm për shkak të krizës së koronavirusit.

Pastruesja nga Cyrihu është megjithatë skeptike. Ajo është e shqetësuar se duhet të përballet me pasojat përkundër këtyre rekomandimeve, transmeton albinfo.ch. Punonjësja e vetëpunësuar e pastrimit nuk ka zgjidhje tjetër përveç të shpresojë se Këshilli Federal së shpejti do të përshtatë rregulloren për të vetëpunësuarit.