Shkurt.ch

Sommaruga: Të gatshëm për 30 deri 50 mijë azilkërkues

"Gjatë krizës së Kosovës, ishte ende e mundur që të futeshin në përdorim edhe strukturat e ushtrisë", ka thënë ministrja Sommaruga.

Sipas një koncepti emergjent, Zvicra duhet t`i ketë të gatshme 30 deri 50 mijë vende strehimi për azilkërkuesit. Kështu ka deklaruar ministrja e drejtësisë Simonetta Sommaruga në një intervistë për gazetën “Berner Zeitung”. Por, ka thënë ajo, këto shifra nuk kanë të bëejnë me situatën aktuale, kur kërkesat e azilit sillen rreth shifrës 20 mijë.

Koncepti i Sommaruga-s për shtimin e vendeve shkon në kundërshtim me atë të Blocherit, i cili para disa vitesh sa kryente funksionin e ministrit të drejtësisë, kishte zvogëluar numrin e vendeve për azilkërkuesit ashtu si dhe personelin që do të punonte për ta.

Aktualisht, ka thënë Sommaruga, problemi me vendet e strehimit të azilkërkuesve, falë angazhimit të kantoneve dhe komunave, është zgjidhur, por vetëm për një afat të shkurtë. Por, shtetit i mungojnë rezervat. “Në kuadrin e përpjekjeve të viteve të fundit për kursim, këto rezerva janë reduktuar, për të ulur koston”, ka shtuar ajo.

Ndërsa në kohët e mëhershme gjithnjë ka pasur në dispozicion rezerva të vendeve për strehim në raste të rritjes së madhe të kërkesave. “Gjatë krizës së Kosovës, ishte ende e mundur që të futeshin në përdorim edhe strukturat e ushtrisë”, ka thënë ministrja Sommaruga.