Shkurt.ch

Sindikalistët kërkojnë dobësim të frangut

Sipas tyre, këtë vit pritet stagnim i ekonomisë dhe shtim i numrit të të papunëve

Federata e sindikatave të Zvicrës, ka kërkuar të ulet vlera e frangut në raport me euron. Banka Nacionale dhe Qeveria e shtetit do të duhej të bënin që një euro, nga 1.20 franga, sa bën sot, të ndryshojë në 1.40 franga.

Po ashtu federata e sindikatave ka kërkuar nga Qeveria Federale që suficitin prej 1.4 miliard frangash nga buxheti i vitit të kaluar t`ia ndajë popullit, duke zbritur për të, çmimet e arkës së sigurimit shëndetësor.

Këto kërkesa, sindikalistët i kanë bërë në konferencën mediale vjetore të federatës së tyre, me arsyetimin se këtë vit pritet stagnim i ekonomisë dhe shtim i numrit të të papunëve.