Shkurt.ch

Si ka mbijetuar suedezi 2 muaj pa ushqim?

Nga 19 dhjetori deri më 16 shkurt, afër dy muaj thotë se ka jetuar pa konsumuar fare ushqim. Ky është Peter Skyllberg, 44 vjeçar i cili është gjetur i ngujuar në veturën e mbuluar nga bora.

Polici Torbjörn Lundgren, i cili pas alarmimit, kishte arritur i pari te Skyllbergu, thotë për shtypin suedez se i ngujuari ishte shtrirë në ulëset e prapme, në një thes për fjetje, prej nga i dukej vetëm koka. Është mrekulli se si ai ende ishte gjallë, thotë polici.

“Me fuqinë e fundit ai kishte mundur të zgjatej deri te dera e makinës. “Kishte të veshura pantollona dhe një bluzë me mëngë të shkurtra. Ishte i tëri asht e lëkurë. Kurrë deri më tash nuk kam parë njeri kaq të dobët”, thotë polici.

Mjekët që e kanë kontrolluar, nuk kanë shpjegim se si ka mundur të mbijetojë 2 muaj pa ushqim. Njëri prej tyre flet për “iglu efektin”, që mbase ka mundësuar të ruajë temperaturën e trupit nga rënia rapide.

Njerëzit që e njohin Skyllbergun thonë se ai është tip i çuditshëm që saherë që braktiset nga një grua, nuk mund ta durojë këtë dhe tërhiqet të jetojë në izolim. Ai po jetonte në pyll, në veturën e tij që prej verës.