Shkurt.ch

Shtypi zviceran dyshon në sigurinë e tunelit

Pas tronditjes së paparë nga aksidenti i tmerrshëm me autobusin Sierre, në të cilin 28 persona humbën jetën, shtypi zviceran dyshon në sigurinë e këtij tuneli.

Një tunel i sigurt?

Skutat e sigurisë në tunel, me të cilat u godit autobusi me plot fëmijë, po shqyrtohen nga shtypi zviceran.

E përditshmja “Tages-Anzeiger” thotë se këndet e tyre përbëjnë rrezik për përplasje vdekjeprurëse. “Vetëm për shkak të këtij muri (me kënd 90°) një përplasje e tillë ka qenë e mundur”, shkruan kjo gazetë, duke theksuar se ky lloj ndërtimi është i shpeshtë në tunele.

“A do duhet (…) të parashikohet një shpejtësi më e ulët për automjete të rënda, apo të ndryshojë disenjimi i skutave për siguri”, shtron pyetjen gazeta frankofone “LeTemps”.

Tuneli i Sierre-it është ndërtuar kohët e fundit, më 1999, rikujton “24Heures” dhe “Tribune de Geneve” në edicionet e tyre. Ai i plotëson standardet e sigurisë, theksojnë gazetat rajonale, duke përmendur shpjegimet e Entit Federal për Qarkullim. Ndërsa, autobusi në fjalë ishte në gjendje të mirë dhe kontrollohej çdo gjashtë muaj, siç kërkohet me ligj. Testi i fundit ishte kryer në tetor, kurse tjetri ishte i planifikuar për në prill.

Shpejtësia me të cilën ai po udhëtonte në tunel ishte korrekte, në përputhje me imazhet e grumbulluara nga kamerat e ndryshme dhe fëmijët ishin të lidhur, shton e përditshmja “Le Matin”.