Tematike

Shtetasit të Maqedonisë i jepet shansi “vërtet i fundit”, shtetasi shqiptar, dëbohet

Dy persona me shtetësi të huaj punonin për një rrjet droge. Njëri prej tyre, shtetasi shqiptar tani po dëbohet nga vendi për dhjetë vjet, ndërsa kolegut të tij nga Maqedonia e Veriut, Gjykata e Qarkut në Wil i ka dhënë edhe një mundësi  vërtet të fundit"

Gjyqtari në Gjykatën e Qarkut në Wil (SG) e shtroi këtë pyetje në seancën e fundit të gjykimit: “ekziston një shans i fundit, por a ka diçka që quhet shans vërtet i fundit?” Pastaj ai ju përgjigj pyetjes së tij me një: “jo, nuk ka, në fakt”.

Sepse 40-vjeçari, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i kërcënuar me burgim dhe dëbim nga vendi, ka qenë tashmë i gjykuar për një vepër tjetër, në Gjykatën e Qarkut të Wilit, në Flawil në maj të vitit 2019. Dhe edhe atëherë prokuroria donte ta dëbonte nga vendi, por gjykata i  pati dhënë një shans të fundit – me një periudhë prove pesëvjeçare, transmeton albinfo.ch. Prandaj, pyetja se pse atij edhe tani iu dha një shans tjetër për ta rikthyer jetën e tij në rrugën e duhur, është plotësisht e justifikuar. 

Babai i dy fëmijëve kishte mbështetur një organizatë kriminale nga jashtë duke i kryer shërbime logjistike në Gjermani dhe duke pastruar para. Për këtë dhe për precedentin penal që kishte, atij ju shqiptua një dënim me 29 muaj burg, i cili u shty për terapi stacionare. Ai gjithashtu bart shpenzimet procedurale dhe ligjore prej 27,840 CHF. Prokuroria kishte kërkuar 32 muaj burg dhe dhjetë vjet dëbim nga vendi; avokati mbrojtës 24 muaj, që duhet të ndryshohet në favor të terapisë stacionare.

Dy procese

Dy personat që duhej të përgjigjeshin në dy procese të veçanta, të mërkurën, para Gjykatës së Qarkut në Wil, nuk ishin takuar kurrë përpara qershorit të vitit 2020, shkruan tagblatt.ch. Kontakti është bërë nga një “xhaxha” me banim jashtë vendit, i cili i kishte kërkuar një nder bashkatdhetarit të tij, përmes telefonit. Ai duhej të merrte një dhomë me qira në rajon për një shqiptar që kishte hyrë si turist në Zvicër. Dhe, shtetasi i Maqedonisë e bëri këtë “nder” dy herë.

Herën e parë, ai kishte marrë me qira një dhomën nën emrin e tij, transmeton albinfo.ch. Mirëpo, kur pronari vuri re se në dhomë banonte dikush tjetër, shqiptari ishte detyruar të largohej. Herën e dytë, ai kishte dhënë emrin e vërtetë të shqiptarit, duke thënë se ai ishte punëdhënësi i tij dhe se të gjitha kontaktet duhet të kalonin përmes tij. Kështu, banesa i shërbente atij si bazë për trafikun e drogës. Këtu ai e paketonte mallin në pako prej pesë gramësh dhe ua dorëzonte blerësve.

Deri në momentin që u arrestua në fund të gushtit të vitit 2020, ai kishte shitur gjithsej katër kilogramë përzierje heroine me një pastërti 27 për qind, që i korrespondon një sasie prej 1080 gramësh heroinë të pastër me një “vlerë të shitjes në rrugë” prej 140,000 CHF.

Me këtë qarkullim që kishte, nuk është për t’u habitur që shqiptari u tregua bujar dhe çdo ditë i jepte kolegut të tij nga Maqedonia e Veriut nga një ose dy pako. Ai kurrë nuk donte para, shpjegon i droguari. Përkundrazi, ai e shihte marrëveshjen si një mundësi për të qenë në gjendje të shpenzonte rrogën e tij të punëtorit të ndërtimtarisë për familjen dhe jo për drogën.

Në total, ai kishte marrë heroinë me vlerë në mes 8000 dhe 10000 CHF. Në këmbim, ai kishte transferuar pesë herë para nga tregtia e drogës, gjithsej  21.900 franga – përmes “Western Union” në “seli”. I pyetur nëse ndjehej se po bënte diçka të keqe, ai u përgjigj se varësia e tij nga droga ishte më e fortë se skrupujt: “Shiko, unë kisha një varësi. Nuk doja të merrja pjesë në të. Por kur ke dhimbje dhe nuk di si ta largosh dhimbjen, nuk heziton më”, është shprehur ai para gjyqtarit.

Përpjekjet e mëparshme për të hequr qafe varësinë nga droga kishin funksionuar vetëm përkohësisht, përcjell albinfo.ch. Dhe meqenëse ai ishte në listën e zezë nga kompanitë e sigurimeve shëndetësore për një kohë të gjatë, kompania e tij e sigurimeve shëndetësore nuk ishte e gatshme të paguante për rehabilitimin e tij. Ndërkohë, ai është hequr nga lista e zezë, për këtë arsye ai vetë ka kërkuar që më në fund të lejohet t’i nënshtrohet terapisë spitalore. Kjo është mundësia e vetme që ai të dalë nga varësia në mënyrë që më vonë të bëjë një jetë normale me familjen e tij, shpjegoi ai.

Veprat e varësisë nga droga

Gjyqtari theksoi se vendimi kundër dëbimit të tij nga Zvicra ishte marrë shumë “ngusht”. “Ne e vlerësuam më të lartë interesin tuaj personal për të qëndruar në Zvicër, sepse arsyen e veprimtarisë kriminale e shohim në sëmundjen tuaj, varësinë ndaj drogës. Nëse kjo pushon së ekzistuari, edhe nevoja e Zvicrës për siguri do të vlerësohet ndryshe”, është shprehur gjykatësi. Megjithatë, ai e bëri të qartë se i dënuari duhet të shfrytëzojë tani shansin e tij me të vërtetë të fundit, sepse “në të ardhmen nuk do të gjeni më një gjykatë që do të pranojë përsëri një `rast të rëndë`në favorin tuaj”. Edhe në aspekte të tjera, ai duhet të sillet në mënyrë shembullore në të ardhmen, sepse “edhe Zyra e Migracionit në një moment do të thotë mjaft më`. Dhe kjo ka mundësi për të marrë masat e duhura (dëbimin) – edhe pa gjykatë”, tha gjyqtari.

Dëbim nga vendi për shtetasin shqiptar

Gjyqi i 18-vjeçarit shqiptar si korrier droge ka qenë gjykim i shkurtuar dhe ka përfunduar brenda gjysmë ore. Shqiptari ka pranuar të gjitha akuzat dhe u dënua me tre vjet burg për veprën kundër Ligjit për Narkotikët, nga të cilat 18 muaj me burg efektiv dhe 18 muaj të shtyhen me një periudhë prove prej tre vjetësh, transmeton albinfo.ch. Paratë prej 19.440 frangash të gjetura tek ai, janë konfiskuar nga shteti.

Ai gjithashtu është dëbua nga vendi, pa të drejtë për hyrje në dhjetë vitet e ardhshme në Zvicër dhe në Zonën Shengen. 18 vjeçari gjithashtu duhet të përballojë shpenzimet e hetimit dhe ato ligjore prej 38,400 CHF.