E-Diaspora

Shqiptarët në botëror me “ekipin e tyre të parë”, Zvicrën

Albinfo.ch dhe dy televizione zvicerane kanë regjistruar atmosferën në mesin e mërgimtarëve në një klub shqiptar në Zvicër, para dhe gjatë ndeshjes Shqipëri - Zvicër. "Ekipi i parë për ne është Zvicra", shprehen ata. Ndërsa Shqipëria për ta është "ekip i dytë", vetëm kur luan me Zvicrën!

U mbyll edhe ky kapitull i euforisë së futbollit shqiptar-Shqipëria nuk ndryshon dot pozitë, mbetet e parafundit. Mobilizimi i jashtëzakonshëm i medieve zvicerane e shqiptare për ti dhënë sa më shumë dinamikë lojës Shqipëri-Zvicër u mbyll pa zhurmë të madhe e brenda një rezultati të pritshëm për favoritin e grupit ku bënte pjesë Shqipëria, Zvicrën.

Nga kjo dinamikë elektrizuese e medieve, është pasqyruar duke hulumtuar pothuajse çdo detaj të deklaratave të tifozëve e lojtarëve të shumtë me origjinë shqiptare.  Veçmas duke futur në fokus kosovarët, që tashmë jo vetëm se përbëjnë bërthamën e ekipit helvetik, me gjashtëshen e famshme shqiptare e liderët e padiskutueshëm Shaqirin dhe Behramin, por duke veçuar edhe brenda kombëtares shqiptare emra si Cana, Berisha, Mavraj, Rama, Abrashi, Gashi e të tjerë që kanë lidhjet e tyre me Zvicrën. Nga e gjithë kjo u pa që shqiptarët e Zvicrës megjithatë i kanë ndjenjat e përziera dhe nuk janë aq të bashkuar siç është përfolur në mediet zvicerane.

Kur bëhet fjalë për këto dy kombëtare, mërgata shqiptare në Zvicër që e tejkalon 10% e popullatës së Kosovës, flet e tregon hapur ndjenjat për futbollin dhe dashurinë ndaj lojtarëve që i përbëjnë këto dy skuadra.  Në të shumtën e rasteve ekipi i parë që përbëhet me lojtarë më cilësorë për ta është Zvicra kurse ekipi i dytë – Shqipëria, të cilin siç u shprehen shumë bashkëkombës në shoqatën „Shqiponja“ në St. Margrethen, vetëm në këtë rast e kanë ekip të dytë. Dhe kjo nuk kaloi pa u vënë re edhe nga ekipi i televizionit zviceran, SRF Sport Aktuell i cili përcolli emocionet e parandeshjes drejtpërdrejtë tek teleshikuesit në programin e lajmeve të orës 19.00. Ndërkohë që TVO „ TVOstschweiz“ bashkë me  albinfo.ch që ishte orientuese e këtyre dy televizioneve ndoqi lojën dhe emocionet e ndeshjes gjatë transmetimit live.

Veterani i  UÇK-së, baca Shefqet: “Jam Zvicrën dhe ajo do të fitojë 2:1!”

Në përkujdesje të Ariton Vrenezit dhe të bashkëshortes së tij, bashkë me të tjerë anëtarë të shoqatës veleshtare, të njohur si  Shoqata Kulturore „Shqiponja“ në St. Margrethen (SG)  ishin mbledhur një numër i mirë i prindërve shqiptarë të ardhur me fëmijë për ta shikuar ndeshjen e shumë përfolur bashkë e në mesin e interesimit të medieve. Dhe gjersa prindërit anonin për Shqipërinë, fëmijët e tyre bënin tifo për Zvicrën. Përderisa fitoren Shqipërisë nuk dukej se ia besonin fort. Ngaqë cilësia e ekipit zviceran që ndodhej me një këmbë në Brazil dhe tjetrën në Qema Stafa favorizonte atë. Madje në atë masë sa edhe optimistët më të mëdhenj të kombëtares, nuk besonin që megjithatë ekipi i tyre do ta ndalonte e do ta mbante në ethe dhe për ca ditë ekipin zviceran për mos ti prerë biletat për Brazil.

Nga mysafirët e shumtë të mbledhur në shoqatën „Shqiponja“ veterani i „kurbetit“ 70-vjeçari, Shefqet Asani, u shpreh në favor të ekipit zviceran, ndonëse ai njihej si aktivist që thirrjes për t`i dalë në ndihmë atdheut, i qe përgjigjur duke veshur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. „Unë kam ardhur ta shoh lojën“, më thotë ai. “Me bo me m’vet kush ki qejf me fitu, unë të them se këtu po bohet loja mes shqiptarëve dhe kosovarëve“. Unë me siguri duhet ta përkrahi Xherdanin, ai është i Gjilanit dhe unë jam i Gjilanit. „Edhe katundet kur luajnë secili pe don katundin e vet“ që domethënë se shqiptarët e Kosovës i përkrahi më shumë se shqiptarët e Shqipërisë, se nuk është marre”, tha ai. Plus kësaj, meqë jemi në Zvicër jemi tu e hongër bukë këtu, e përkrahim Zvicrën. Zvicra do të fitojë, thotë ai, 2 me 1. Kurse gol do të shënojë Xherdani. „Atë e kemi të parin, ai e ka zanat me dhanë gol-jo unë“, bën me gisht plaku elegant që rreth tavolinës së tij kishte mbledhur një numër të madh të rinjsh. I shoqëruar nga aktivisti i të gjelbërve, Zeqë Sadrijaj, i cili thotë të ketë ardhur me përshtypjet më të mira këtu, dhe ekipit që luan më mirë ia uron fitoren. Përderisa lojtari që ai e ka më për zemër është, kush tjetër pos Shaqirit. 

Prindërit për Shqipërinë, fëmijët e tyre për Zvicrën

Më qartë e pa hamendje u paraqiten dy veleshtaret e reja, Dhurata Qyra dhe Doruntina Bauta, prezente me fanella të ekipit zviceran. Fillimisht ato u përballën në një lojë improvizuese në futboll tavoline kundër dy të rinjve me fanella të kombëtares shqiptare, ndërkohë që televizioni zviceran dërgonte sinjalet e para emocionuese të drejtpërdrejta të kësaj përballjeje tek teleshikuesit në orarin e lajmeve „Schweiz aktuell“. Më pas ato u shprehën bindshëm se janë këtu për të shijuar fitoren e Zvicrës.

„Ne kemi ardhur këtu ene me pa futbollin, ene mi pa shoqnin tonë“. Ne, thotë Dhurata, më shumë e ndjekim Zvicrën. Këta të Shqipërisë nuk i ndjekim, thotë ajo „Ene se jemi shqiptarë, sot jemi për Zvicrën. Por kur Shqipëria luan me Spanjën, për shembull, atëherë unë jam për Shqipërinë. Ama sot Zvicra do të fitojë 2:0 , ku një gol besoj që, „do t’api Shaqiri“ tha ajo në fund të bisedës, duke i lënë radhën shoqes Doruntina, e cila beson në fitoren e Zvicrës 2:1 duke e mbështetur me vetë faktin se jeton në këtë vend. 

I ati i Dhuratës, që kishte hapur veshët përmbrapa për të dëgjuar se çfarë flet vajza e tij, ishte me humor të mirë, por shprehet bindshëm për Shqipërinë; thotë “unë jam për Shqipërinë, normal.” Por, besim dukej se nuk kishte. „Kam qejf të fitojë Shqipëria, amo Zvicra do të fitojë 2:0, se tanët janë më të dobët“

Rivalja tjetër e familjes Qyra, e ëma e Dhuratës është përcaktuar me kohë, madje me rezultat bindshëm 4:1 ose 4:0 për Zvicrën thotë ajo me humor që mos ta nxisë inatin e burrit të mbetur pa mbështetjen e vajzës dhe të gruas.

Kurse prindi i vajzës Bauta thotë të jetë adhurues i kombëtares, porse në fitore nuk beson plotësisht. Me një barazim ai do të ndahej i kënaqur bashkë me të shoqen Bahtijen që para se gjithash pret një lojë të bazuar në Fair-Play sepse edhe në ekipin zviceran luajnë shumë shqiptarë dhe të dy ekipet janë gati njëjtë. “Më i miri le të fitojë, ky është mendimi im”, shprehet ajo me çunin e vogël pranë.

Dhe si për koincidencë, loja ishte aq e balancuar, veçmas në pjesën e parë, sa që kundërshtarët e futbollit në këtë lokal nuk bënin gjë tjetër pos që prisnin e shikonin krah njëri tjetrit se si lojës së shumëpërfolur po i iknin minutat pa përjetuar ndonjë spektakël të vërtetë emocionues.

Italiania që shikon ndeshjen Shqiperi – Zvicër

Nga fakti që një grua italiane ishte aty për ta parë ndeshjen Shqipëri-Zvicër në një kohë kur edhe Italia luante, u mendua fillimisht që ajo ka rënë „viktimë“ e presionit të burrit shqiptar, për ta marrë me vete, mirëpo vetë ajo tha se prezenca e tyre aty ishte vetëm falë gruas italiane. „Në fakt, ky nuk e kishte ndërmend të dilte. Unë e mora dhe erdha-jo ky mua“ tha Antonella duke parë buzagaz të shoqin Ismetin, i cili dëshironte të qëndronte i qetë në shtëpi për t`i parë të gjitha lojërat. Sa për Italinë time, thotë Antonella nuk brengosem, ata janë kualifikuar. E po të njëjtën do t’ua dëshiroja edhe Zvicrës e Shqipërisë. E pyetur se sa lojtarë shqiptarë njeh, ajo pa një pa dy, si gjithë të tjerët veçon Shaqirin, por nuk harron as mbrojtësin e St. Gallenit, Lenjanin. Për të cilin thotë se e njeh ngase ai luan për ekipin tonë, St. Gallen. Ndërkohë që rezultatin e mendon 2:1 në favor të mysafirëve.

Goli i ardhur nga Shaqiri, që fillimisht u duk si pozitë jashtë loje, u prit  më tepër në heshtje. Epërsia me dy gola të befasishëm dhe për vetë lojtarët e kombëtares që deri në ato momente po tregonin një lojë të mirë, vetëm sa e uli intensitetin e tifozërisë edhe ashtu të qetë. I habitur nga kjo qetësi e „tifozëve“ shqiptarë ndahet edhe gazetari televizionit TV Ostschweiz, Simon Ricklin, i cili krahas angazhimit permanent për të regjistruar dhe intervistuar gjitha pjesët e rëndësishme, thotë të jetë i kënaqur me sjelljet dhe qetësinë e mysafirëve në këtë lokal. 

Ndërkohë që Ariani me fanellën ku shkruante “100% shqiptar” u këndell vetëm pasi shqiptarët krijuan shanset për të shënuar. Penalltia e realizuar nga Salihi ishte momenti më i nxehtë i tifozërisë shqiptare në këtë shoqatë ndonëse fillimisht u duk se shumica anojnë nga ekipi zviceran. 

Si përfundim, mund të konstatohet se favoriti i këtij grupi, Zvicra me lojtarë që luajnë në ligat më të forta të Evropës, ku ndërkohë më tepër se gjysma e ekipit zviceran luan edhe në kompeticionin e Ligës së Kampionëve, dëshmoi edhe njëherë pjekurinë në fushë pavarësisht presionit të medieve që është ushtruar ndaj tyre gjatë gjithë javës. Ata, me paraqitje të mira siguruan kualifikimin për në botërorin 2014 në Brazil duke lënë kokat e shqiponjave të shpërqendruara njëra majtas e tjetra djathtas.

Bekim Dalipi