Shkurt.ch

Shemsi Nuhiu tashmë i ekstraduar në Serbi

Autoritetet zvicerane e kanë ekstraduar në orët e pasditës Shemsi Nuhiun, i cili në mbrëmje ka mbërritur në Serbi

Sipas familjarëve të Shemsi Nuhiut, ai tashmë i është dorëzuar autoriteteve të Serbisë në Beograd.

Lajmin e ka konfirmuar pë albinfo.ch vëllai i Shemsiut, Sherifi. Ai thotë se sot pasdite e ka marrë lajmin se vëllai i tij është ekstraduar nga burgu i Llozanës për në Serbi. Aeroplani i Shemsiut, sipas tij ka mbërritur në Beograd në ora 21.

“Për esktradimin e sotëm nuk ka qenë i informuar as avokati zviceran i Shemsi Nuhiut. Kur ky i fundit ka kërkuar të takohet sot me të, i është thënë se ai nuk gjendet më në burgun e Lozanës”, ka deklaruar Sherif Nuhiu. Me Shemsiun ka qenë e pamundur të kontaktojnë edhe familjarët e tij. Por, ata kanë angazhuar një avokat për Shemsiun në Serbi.

Departamenti Federal i Drejtësisë dhe Policisë ka konfirmuar ditë më parë për plotfuqishmërinë e vendimit për ekstradim në Serbi të Shemsi Nuhiut. “Me verdiktin e Gjyqit Federal, të marrë më 7 mars, vendimi për ekstradim në rastin Shemsi Nuhiu është bërë i plotfuqishëm dhe i zbatueshëm”, kishte thënë për albinfo.ch zëdhënësi i Entit Federal për Drejtësi, Folco Galli.

Megjithatë ai kishte refuzuar të publikonte datën e saktë të ekstradimit. “Në bazë të praktikës sonë të përhershme, zyra jonë nuk informon asnjëherë paraprakisht lidhur me zbatimin e një ekstradimi”, tha Galli.

Vendimi për ekstradimin përfundimtar erdhi pasi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka hedhur poshtë ankesën e Shemsi Nuhiut, shtetas i Kosovës dhe i Serbisë, për mos ekstradim. Ankesën e njëjtë e kishte refuzuar ditë më parë edhe Gjykata Federale e Zvicrës.

Dosja albinfo.ch: